Për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, numri i infektimeve me COVID-19 ka kaluar 10 000 raste në të paktën 24 orë në Gjermani, sipas të dhënave zyrtare.
Gjermania ka numëruar 11 287 raste, një shifër në rritje me rreth 3 700 në raport me një ditë më parë, që tejkalon kryesisht rekordin e mëparshëm të së premtes ku u regjistruan 7 830 raste të reja në vend nga Instituti i shëndetit Robert Koch.
Gjermania, ashtu si disa vende europiane, po përballet që prej disa javësh me një rritje të fortë të infektimeve me COVID-19.
Përballë rritjes së rasteve me COVID-19, autoritetet gjermane kanë ashpërsuar masat kundër pandemisë duke miratuar veçanërisht ndalimin e grumbullimeve.
Kufizime lokale janë vendosur gjithashtu, ashtu si në Berlin, ku mbajtja e maskës është vendosur në disa rrugë të frekuentuara.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bëri thirrje bashkëqytetarëve të saj të reduktojnë në maksimum marrëdhëniet e tyre sociale, duke i nxitur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Franca, ndërkohë, është bërë vendi i dytë në Europë, pas Spanjës, që ka arritur në 1 milion të infektuar. Sipas institutit Johns Hopkins, renditjen e kryeson SHBA, me mbi 8.3 milionë raste.
Edhe Greqia regjistron numër rekord rastesh të reja
Infeksionet nga koronavirusi në Greqi u rritën në 865 të mërkurën, nga 667 të martën, duke reflektuar shqetësimin e autoriteteve, veçanërisht në veri të vendit.
Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) deklaroi se nga 865 rastet e reja, 82 ishin të lidhur nga grupe të njohura, ndërsa 44 u identifikuan në pikat e hyrjes në Greqi.
Rastet e konfirmuara të pandemisë në Greqi kanë qenë 27 334 që nga fundi i shkurtit, nga të cilat 3 672 kishin të bënin me udhëtime jashtë vendit dhe 10 802 me raste të konfirmuara tashmë.