Që prej fillimit të pandemisë dhe deri me 15 qershor , 9 persona janë infektuar nga koronavirusi nga radhët e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Në total janë kryer 200 testime.
Të dhënat u bënë me dije nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku gjatë një raportimi në Komisionin e Sigurisë.
“Nga këta 5 në misione; 4 në KFOR dhe 1 në Afganistan dhe 4 të tjerë në Shqipëri. Katër prej tyre kanë qenë të shtruar në spitalin e Infektivit në Tiranë por jo në gjendje kritike serioze, një i karantinuar në Afganistan dhe të tjerët të karantinuar në vendbanimet e tyre. Të gjithë janë ndjekur nga mjekë të njësisë mjekësore ushtarake, komandave në operacion dhe mjeku i familjes.”
Ai nënvizoi se pavarësisht situatës me pandeminë Covid-19, FA kanë realizuar të gjitha detyrat kushtetuese pa cënuar gatishmërinë luftarake si monitorimi i hapësirës ajrore dhe tokësore, zbatimi i ligjshmërisë në hapësirën detare dhe ruajtja e sigurisë i gjithë personelit dhe instalimeve ushtarake.
Kollçaku tha se Forcat e Armatosura në kontakt të ngushtë me task-forcën e NATO-s dhe sipas udhëzimeve të tyre po planizojnë masat që duhet të marrin për një valë të dytë të mundshme të Covid 19 në vjeshtën e këtij viti.