Vaksina kundër koronavirusit e zhvilluar nga universiteti i Oksford-it dhe prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca nuk do të jetë gati për valën e dytë të pandemisë.
Lajmi është konfirmuar për The Telegraph nga profesor John Bell, i cili është edhe anëtar i Task Forcës kundër virusit Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar.
Bell u shpreh se Britania mund të jetë rreth tre ose katër muaj përpara gjithë të tjerëve për zhvillimin e një vaksine anti-Covid, por nuk do të jetë në gjendje të mposhtë një valë të dytë të koronavirusit.
Sipas tij, duhet mesatarisht tetë vjet për realizuar një vaksinë, por mund të konsiderohet një mrekulli që faza e tretë e provës është realizuar në vetëm 8 muaj.
“Ne ndoshta jemi në fillim të valës së dytë të pandemisë, por një vaksinë kundër virusit mund të dalë vetëm në fund të valës së dytë”, tha Bell.
Vaksina e zhvilluar nga Oksford dhe e konsideruar si më premtuesja nga ato që po testohen aktualisht është ndaluar kohët e fundit për shkak të një reagimi anormal të regjistruar në njërin prej 50 mijë vullnetarëve të cilëve iu injektua doza e vaksinës.
Megjithatë, pezullimi i vaksinës zgjati më pak se një javë, ndërsa testimi rifilloi në Britaninë e Madhe të shtunën (12 shtator).
Nëse nuk do të shfaqen efekte të tjera anësore tek vullnetarët, dozat e para të vaksinës mund të prodhohen në janar, por që duhet të presim deri në pranverën e vitit 2021 për të pasur miliona doza të prodhuara të vaksinës.