Prej ditësh në Kosovë raportohet një situatë e qëndrueshme sa i përket pandemisë së Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën katër qytetarë, ndërsa nga kryerja e 1282 testeve të dyshuara, 199 prej tyre janë konfirmuar pozitivë.
Të dhënat janë bërë publike nga ana e Institutit të Shëndetit publik, i cili shton se deri tani kanë humbur jetën 1355 pacientë, shumica prej tyre me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
“Numri total i rasteve pozitive është 52.333 raste nga 189.420 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.355 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 430 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 43.378 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.600”, thuhet në njoftim.
Rastet pozitive: Prishtinë 87 raste, Pejë 17 raste, Ferizaj 16 raste, Podujevë 16 raste, Lipjan 12 raste, Fushë-Kosovë 7 raste, Gjilan 6 raste, Shtime 5 raste, Deçan 4 raste, Gjakovë 4 raste, Obiliq 4 raste, Prizren 4 raste, Drenas 3 raste, Malishevë 3 raste, Vushtrri 3 raste, Junik 2 raste, Kamenicë 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Istog dhe Rahovec.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj konfirmoi sot më një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook” se Kosova ka siguruar 500 mijë vaksina kundër Covid-19 nga kompania “Pfizer”.
“Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500 000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer”, shkroi Zemaj.