Silva Doçi, studentja shqiptare e cila u largua nga Wuhani duke krahasuar situatën ku u gjend në kinë me atë në vendin tonë thotë se kinën Covid-19 e kapi të papërgatitur, ndërsa Shqipëria i mori në kohë masat frenuese. Me Silva Doçin bisedoi gazetari Top Channel Muhamed Veliu.
Silva nëse do ti bëjmë një krahasim situatës në Wuhan me atë në Shqipëri çfarë mund të na thoni?
Wuhani shihet si fillimi e pandemisë, aty ku mori edhe famën dhe duke qenë i tillë çdo gjë ishte e re, papërgatitur dhe e frikshme. Të gjitha organet shtetërore, private edhe njerëzit e thjeshtë u deshën të bënin një ndryshim total të aktivitetit të tyre pa pasur kohë të përshtaten. Shumë njerëz mbeten të bllokuar në kohën kur u mbyll Wuhani, nuk patën kohë të kthehen në shtëpi.
Në Shqipëri ndodhi e kundërta, kishte njëfarë kohe për të bëre sadopak përgatitje. Numri i të prekurve në Wuhan ishte shumë më i lartë, atyre që humbën jetën gjithashtu, gjendja nëpër spitale më e ngarkuar, derisa u hapën spitalet e reja të përkohshme. Dhe masat e marra kanë qenë shumë më të rrepta duke e kufizuar lëvizjen deri në zero, ndryshe ndodh në Shqipëri, ku lëvizja e një pjese të popullsisë vazhdon për një arsye apo tjetër.
Cili do të ishte komenti juaj për sa i përket masave izoluese në Shqipëri krahasuar me izolimin ne Wuhan?
Izolimi i Wuhanit ishte i paparë ndonjëherë e u konsiderua si një masë drakoniane, shkelje e të drejtave të njeriut e me radhe, sidomos në shtetet perëndimore. Sot po shohim qe masat e marra nga Wuhani po merren si shembull suksesi nga shumë shtete në botë. Përsa i përket masave të marra në Shqipëri unë si një person që i jetova të dyja situatat, i shoh shumë të nevojshme e goxha efektive. Krahasuar me shtetet e tjera të Europës, duke mos pasur as ekonominë dhe as resurset e shumicës prej tyre, Shqipëria i mori këto masa më herët dhe me më shumë vendosmëri e mendoj që kjo ka dhënë efekt në ngadalësimin e përhapjes se virusit. Ajo çka ndodhi ne Wuhan ishte mjaft larg për ti dhënë kohë pjesës tjetër të botës për të pasur informacionin e duhur për këtë virus, për masat që duhen marrë ose jo, dhe për edukimin që i duhet dhënë njerëzve. Ne po shohim vende europiane që i marrim si shembull zhvillimi e demokracie, që po e nënvlerësojnë situatën e po e lejojnë në këtë mënyre përhapjen e virusit. Nga ana tjetër në Shqipëri, masat e marra nga qeveria shqiptare qoftë qendrore edhe lokale,tregojnë përpjekjet e duhura për ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe menaxhimit të situatës.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje këto javë të mbërthyera nga CoVid 19 në Shqipëri?
Të them të drejtën, nuk kam dalë që ta shoh vetë me sytë e mi, pasi nuk jam në marrëdhënie pune në Shqipëri. Me familjen time kemi qëndruar në shtëpi dhe jemi munduar që edhe pazarin e nevojshëm ta bëjmë njëherë në javë, duke rralluar daljet në maksimum. Shumicën e informacionit për situatën e marr nëpërmjet medias. Shoh që kemi një ndërgjegjësim të shumicës së njerëzve për masat që merren për mbrojtje dhe që shumë njerëz po përshtaten me karantinën e po gjejnë mënyra për të kaluar kohën, shoh që ka edhe shumë të rinj që po dalin vullnetarë për të ndihmuar ato që nuk kanë mundësi e gjithashtu vërej një rregullim të masave që merren në vazhdimësi.
Silva, ku jeni ndjerë më e sigurt në Wuhan apo Tiranë?
Nuk do të bëja krahasim për sigurinë, pasi nëse me një kujdes personal të detajuar ne mund të mbrohemi nga ky virus, atëherë mund ta bëjmë kudo. Siç jam mbrojtur në Wuhan ashtu po përpiqem edhe në Tiranë. Unë si person në Wuhan kisha nevojë për kujdes dhe këtë kujdes e gjeta edhe në universitet edhe nga mjekët të cilët më vizituan. Këtu në Tiranë, jam përpjekur që të ndaj eksperiencën time me familjen e miqtë e mi. Por gjithashtu të gjithë ato me të cilët kam biseduar, më kanë mbështetur dhe me kanë dhënë vlerësime për përballimin e gjithë kësaj situate. Do krahasoja gjendjen time në dy qytetet, në Wuhan isha me e stresuar pasi ishte fillimi i epidemisë, në Tiranë jam më e qetë pasi po përjetoj një lloj tjetër karantine, atë pranë familjes. Kjo është karantina ime e tretë, pas Wuhanit dhe Ankarasë edhe pse tashmë po bëhen tre muaj për mua, karantina në shtëpi me familjen kalohet më lehtë.