Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA-ja ishte pranë një vaksine kundër COVID-19.
“Jemi pranë një vaksine kundër COVID-19″, konfirmoi presidenti amerikan, Donald Trump në një intervistë për ”Fox News”.
Optimizmi i OBSH
SHBA-ja regjistroi gjatë 24 orëve të fundit 840 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri duke e çuar në 117 694 numrin e viktimave për 2,16 milionë raste.
Edhe pse rastet me koronavirus po rriten me shpejtësi në shumë rajone të botës, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kanë filluar të shfaqen shenja shprese në luftën kundër pandemisë. Shefi i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u kërkon shteteve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë me zbatimin e masave për frenimin e pandemisë.
“Janë shënuar më shumë se 435 mijë vdekje në dy Amerikat, Afrikë dhe Azinë Jugore, rastet po rriten me shpejtësi. E megjithatë ka shenja shprese. Ne po tregojmë se të bashkuar, me solidaritet global njerëzimi mund ta tejkalojë pandeminë”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Dexamethasone ka rezultuar i efektshëm
OBSH tha gjithashtu se dexamethasone, anti-inflamatori që ka rezultuar i efektshëm në shpëtimin e pacientëve të sëmurë rëndë me Covid-19, dukej të përdorej vetëm nën mbikëqyrjen e mjekëve. Sipas një studimi, ilaçi i lirë i përdorur që në vitet 60-të, ka reduktuar ndjeshëm vdekshmërinë te personat e shtruar në spital. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë të dhënat janë premtuese.
“Është shume e rëndësishme që ilaçi të përdoret vetëm për pacientët në gjendje të rëndë. Duhet të festojmë për këtë zbulim të rëndësishëm, e megjithatë nevojiten studime të tjera”, tha Mike Ryan.
Covid-19 ka prekur mbi 8 milionë e 300 mijë vetë në të gjithë botën, me dy Amerikat që janë shndërruar në epiqendrën e re të pandemisë. Situata vijon të jetë alarmante ne Amerikën Latine, me Perunë që regjistron më shumë se 240 mijë raste, duke tejkaluar Italinë e goditur rëndë.