Kampioni i boksit, Oscar de la Hoya është shtruar në spital, i infektuar me Covid-19, dhe si rrjedhojë është detyruar të shtyjë ndeshjen kundër Vitor Belfort, e programuar për t’u zhvilluar javën e ardhshme.
Amerikani, i tërhequr nga boksi në vitin 2009, kishte planifikuar një përballje luksi kundër ish-kampionit të UFC, në Los Anxhelos, por pasi u diagnostikua me koronavirus të premten, iu desh të shtrohej në spital për shkak të gjendjes së rënduar.
48-vjeçari publikoi një videomesazh në Twitter ku shpjegoi gjendjen e tij nga spitali. “Doja që ta dëgjonit drejtpërdrejt nga mua që, pavarësisht se jam plotësisht i vaksinuar, jam infektuar me Covid dhe nuk do të mund të ndeshem fundjavën e ardhshme”, tha ai.
De la Hoya është vlerësuar si boksieri i 29-të më i mirë në botë dhe gjatë karrierës ka fituar 11 tituj botërorë, në 6 pesha të ndryshme. Ai u bë i famshëm fillimisht pasi fitoi titullin olimpik në Barcelonë në vitin 1992, pak muaj pasi kishte marrë diplomën e shkollës së mesme.
Në fillim të javës ai bëri bujë për shkak se rrëfeu që, në moshën 13-vjeçare ishte përdhunuar nga një grua në të tridhjetat, gjatë një kompeticioni boksi në Havai. Në vitin 1998, kur ishte 25 vjeç, u akuzua se kishte përdhunuar një 15-vjeçare në vitin 1996 në një hotel në Meksikë.