Edhe këtë të hënë koronavirusi ka shënuar viktima në mosha të reja. 9 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve edhe 29-vjeçari Olsi Skura nga Librazhdi, që po trajtohej në spitalin Covid 2 në Tiranë.
Olsi Skura nga fshati Pishkash ka qenë i shtruar prej disa ditësh në spitalin Shefqet Ndroqi. Mësohet se 29-vjeçari nuk kishte asnjë sëmundje shoqëruese.
Pacientët e tjerë që nuk ia dolën të fitojnë betejën me Covid-19 janë nga Tirana, Durrësi, Librazhdi, Kurbini e Lushnja.
Sa u takon rasteve të reja, në të gjithë vendin janë identifikuar 538 persona Covid pozitiv, ndërsa u testuan 1918 të dyshuar. Edhe këtë të hënë Tirana ka vijuar të ketë numrin më të lartë të infektimeve ditore me 208 raste, e pasuar nga Durrësi me 39 raste, Lushnja 36 raste, Vlora 28 raste, 27 raste në Fier dhe 20 raste në Elbasan.
Disa prej tyre janë shtruar në 4 spitalet Covid , ku po trajtohen 282 pacientë, 19 në terapi intensive dhe 4 të intubuar.
401 është numri i të shëruarve këtë të hënë. Që nga fillimin i pandemisë janë shëruar 44,291, ndërsa janë ende Covid pozitiv dhe po trajtohen kryesisht nga mjekët e familjes 27,197 persona.