Aktualitet Covid i merr jetën në moshën 55-vjeçare fizikanit Artan Boriçit

Covid i merr jetën në moshën 55-vjeçare fizikanit Artan Boriçit

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e 25 marsit, në moshën 56-vjeçare, fizikani, profesori i Universitetit të Tiranës, akademiku i asociuar Artan Boriçi, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Artan Boriçi u nda nga jeta pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19.

Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020. I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.

Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës.