Italia dhe Gjermania shtrëngojnë rregullat për udhëtimet në BE, ndërsa blloku është prekur nga një valë e tretë vdekjeprurëse e pandemisë së Covid-19.
Italia planifikon të aplikojë një karantinë 5-ditore për të gjithë udhëtarët që vijnë nga shtete të Bashkimit Europian, siç bënë me dije burime të Ministrisë së Shëndetësisë për mediat italiane.
Gjithashtu, personave që udhëtojnë do t’u kërkohet të kryejnë testin para se të largohen nga vendi, dhe një tjetër kur periudha e izolimit të përfundojë. Italia kishte në fuqi një masë të ngjashme për shtetet jashtë BE-së.
Ndërkaq, Gjermania njoftoi të martën se do të shtrëngojë kontrollet kufitare përgjatë 8 deri në 14 ditët e ardhshme. Horst Seehofer, ministër i Brendshëm i Gjermanisë, tha: “Nuk ka rëndësi nga vjen; Polonia, Franca ose Danimarka. Të gjithë duhet të kontrollohen”.
Kufizimet e reja vijnë ndërsa Europa po përballet me rritje të infektimeve për shkak të variantit të ri më të transmetueshëm britanik. Zyra europiane e OBSH raportoi mbi 1,6 milionë raste të reja me koronavirus dhe 23 800 vdekje në 7 ditët e fundit.
Shpërthimi i varianteve të reja e kanë vënë edhe një herë nën trysni zonën e lëvizjes së lirë Shengen, me shumë vende që po rivendosin kufizimet në udhëtime.