Ndodh edhe kështu. Një vend elitar në shëndetësi dhe shkencë si Izraeli ka rikthyer karantinën për t’i bërë ballë pandemisë së koronavirusit. Rritja e numrit të të infektuarve dhe fatalitetet e kanë detyruar qeverinë e këtij shteti “t’i kyçë” përsëri njerëzit nëpër shtëpia, si e vetmja masë mbrojtëse e sigurtë për të evituar përhapjen e Covid-19, virusit që ka gjunjëzuar botën prej marsit të këtij viti.
Ky bllokim i dytë i përgjithshëm pritet të fillojë të premten pasdite, çka nënkupton se Izraeli do t’u kthehet të njëjtave kufizime të rënda si në prill. Shkollat, restorantet dhe vendet e argëtimit do të mbyllen, ashtu si bizneset e tjera, për një periudhë fillestare prej 3 javësh. Sektori publik do të funksionojë me një fuqi të kufizuar punëtore, ndërsa bizneset e sektorit privat mund të veprojnë për sa kohë që jo të punësuarit nuk hyjnë në hapësirën e punës.
Nga njerëzit do të kërkohet të qëndrojnë brenda një distance 500 metra larg nga shtëpia e tyre. Shërbimet e urgjencës, farmacitë dhe dyqanet e ushqimit do të qëndrojnë të hapura. Mbledhjet në natyrë do të kufizohen në 20 persona, ndërsa tubimet në ambiente të mbyllura në 10 persona. Kufizimet do të lehtësohen vetëm pasi Izraeli të regjistrojë një rënie të ndjeshme të kurbës së infeksionit, megjithëse nuk është vendosur asnjë numër për atë që mund të përbëjë një rënie të tillë.