Pesë futbollistë të Kombëtares së Gjermanisë janë futur në karantinë, pasi një prej tyre ka rezultuar i prekur nga COVID-19 në testet e kryera të hënën. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Gjermane, që përmes një postimi në Twitter ka dhënë lajmin se në prag të grumbullimit për ndeshjet e fundit të kualifikueseve për Kupën e Botës, situata nuk është e mirë.
Sipas mediave gjermane është Niclas Sule ai i cili ka rezultuar i infektuar, pavarësisht se i kishte bërë të dyja dozat e vaksinave. Mbrojtësi i Bayernit nuk ka shfaqur shenja, megjithatë menjëherë janë marrë të gjitha masat, për të shmangur mundësinë që infeksioni të përhapet. Serge Gnabry, Jamal Musiala , Joshua Kimmich dhe Karim Adeyemi janë futbollistët të cilët konsiderohen si perosna kontakti të nivelit të parë dhe duhet të izolohen.
Stafi teknik vendosi që stërvitja e së martës të mos zhvillohet në fushë, sipas programit, por në mënyrë individuale në ambientet e hotelit. Një situatë që i prish llogaritë e trajnerit Hansi Hlick, i cili duhet të rishikojë dhe një herë skuadre për ndeshjet me Lihtenshtejnin dhe Armeninë, dy ndeshjet e fundit për kualifikueset e Kupës së Botës, megjithatë pancerat e kanë siguruar kualifikimin për në Katar 2022.