Bilanci i koronavirusit në vendin tonë vijon të thellohet. Dy qytetarë të tjerë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga Covid-19 në vendin tonë duke e çuar numrin total të viktimave në 74.
“Një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”.
Ministria e Shëndetësisë raportoi gjithashtu se janë evidentuar edhe 67 raste të tjera me Covid, ku sërish Tirana ka dhe numrin më të madh të rasteve të reja.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz”.
Por ajo që është më shqetësuese në raportimin e gjendjes për 24 orët e fundit është rritja e numrit të shtrimeve të personave që kanë nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore.
“Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar”.
Nisur nga përkeqësimi i situatës, Ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje bizneseve dhe institucionet që të aplikojnë punën alternative nga shtëpia, për të minimizuar kontaktin mes qytetarëve dhe përhapjen e infeksionit. Gjithashtu ajo apelon se përdorimi i maskës është domosdoshmëri.