Partia Demokratike është më e përçarë se kurrë. E ndërsa Partia Demokratike zyrtare ka nisur fushatën për kreun e ri të kësaj partie, PD e Rithemelimit pas humbjes katastrofike në zgjedhje duket nuk ka në plan të marrë mësimet e duhura nga humbja, ndërsa kanë nisur edhe njëherë intrigat brenda saj, ku drejtuesit e kanë vëmendjen më shumë te përfitimet personale sesa strategjinë për ardhjen në pushtet. Në këtë mënyrë, kanë nisur edhe dorëheqjet e para.
Mirela Vata, anëtare e PD-së prej vitesh ka dhënë dorëheqjen si anëtare e Kryesisë së degës së PD të Rithemeluar në Mat. Vata thotë se ky është vendim personal, ndërsa thekson që edhe pse “nisëm një betejë të pazakontë kundër aleatit më të madh të shqiptarëve (SHBA) për dinjitetin e liderit historik! Mirëpo, sot shohim se nuk jemi gjë tjetër përveçse të keqpërdorur”.
“Ju njoftoj që për arsye personale kam vendosur të jap dorëheqjen nga anëtare Kryesie e degës së PD të Rithemeluar në Mat! Misioni im me këtë grupim ndërpritet këtu. Çdo angazhim i imi mbyllet nga ky moment! Për dy vite me radhë shpresuam dhe besuam se kjo PD do ishte ndryshe nga ajo që kemi investuar vite të tëra kontribute nga jeta jonë, pa kurrfarë përfitimi pas, vetëm për ideal, vetëm duke besuar se do të ishim ndryshe. Nisëm një betejë të pazakontë kundër aleatit më të madh të shqiptarëve për dinjitetin e liderit historik! Mirëpo, sot shohim se nuk jemi gjë tjetër përveçse të keqpërdorur! Për fat të keq shohim se PD-ja e Rithemeluar nuk ngjall as shpresë dhe as besim – është gjithçka një imazh i rremë, brendia i tregon të gjitha nga kurthet, intrigat, interesat personale dhe gjuetia e shtrigave ndaj kujtdo që mendon ndryshe apo që kërkon përgjegjësi për 14 Majin. Fatkeqësisht, PD-ja e Rithemeluar nuk paska qenë për asnjë moment e demokratëve, por e një grupi të ngushtë që sheh interesat e veta personale dhe nga ana tjetër ku të mundin luftojnë demokratët e ndershëm, ata që për Partinë Demokratike kanë dhënë gjithçka. Trishtuese dhe dëshpëruese, por ky është realiteti! Por ky nuk është fundi! Unë do të jem gjithmonë e gatshme për një Parti Demokratike që ka vërtetë ideal, që krijon besim se Shqipëria mund të bëhet më e mirë, për një Parti Demokratike që ka të parin qytetarin dhe demokratin, e jo interesat e një grupimi të vogël drejtuesish që keqpërdorin paturpësisht atë që iu është besuar!”, shkruan Vata në rrjetet sociale.