Në moshën 34-vjeçare, cilido sportist është zakonisht në fazën e venitjes së karrierës. Trupi nuk është më ai që ka qenë dikur. Sidoqoftë, Cristiano Ronaldo bën përjashtim nga rregulli i pashkruar, nuk pyet për vitet që ka mbi supe. Portugezi i Juventusit e filloi kampionatin me teste të shkëlqyera kundër Parmës dhe Napolit. Në ndeshjen me nënkampionët e Serie A, ai shënoi për rezultatin 3-0, duke treguar një gjendje fizike, që e kanë zili kolegët e rinj.
Siç raporton nga “La Gazzetta dello Sport”, e cila iu referohet të dhënave të Serie A, të mbledhura nga “Netco-Stats”, Ronaldo arriti një kulm shpejtësie prej 34.62 km/orë në dy ndeshjet e para. Duke marrë parasysh klasifikimin e përgjithshëm, vetëm Kostas Manolas bëri më mirë se portugezi në këtë drejtim. Ai regjistroi shpejtësinë prej 35.41 km/orë. Podiumin e plotëson Simone Zaza, me 34.56 km/orë.
Një dëshmi tjetër e seriozitetit dhe vëmendjes së niveleve gati maniakale të Ronaldos për stërvitje gjatë javës, brenda dhe jashtë fushës. Përshtypja është se do të flasim gjatë për të, sepse mosha duket një detaj i parëndësishëm për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.