Në të dytën ndeshje në Ligën e Kombeve, Spanja ndalet në barazim, teksa pas rezultati 1-1 ndaj Portugalisë, nuk shoi dot përtej shifrave 2-2 në transfertën ndaj Republikës Çeke. Si zakonisht, iberikët dominuan me lojë e raste, por e panë veten dy herë në disavantazh dhe barazuan fillimisht me Gavin e më pas me Inaki Martinez në minutën e fundit.
E nëse Spanja ngec sërish, nuk gabon Portugalia, që ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Zvicrës. Serinë e golave për luzitanët e hapi Carvahlo, ndërsa më pas ishte Cristiano Ronaldo show që shënoi dy herë brenda pak minutash dhe mbylli llogaritë e sfidës.
Në pjesën e dytë vendosi emrin në listën e golashënuesve edhe Joao Cancelo, ndërsa dyshja Xhaka-Shaqiri nuk arritën të bëjnë asgjë për Zvicrën, ndonëse e nisën si titullarë.
Pas dy ndeshjeve të para, Portugalia dhe Republika Çeke kryesojnë grupin me nga 4 pikë, të ndjekura nga Spanja me dy pikë dhe Zvicra e fundit me një pikë.
Në Ligën B, Serbia ia doli të triumfojë në derbin ballkanik ndaj Sllovenisë me rezultatin 4-1, ndërsa Norvegjia fitoi derbin skandinav ndaj Suedisë 1-2, falë një dopiete të yllit të skuadrës, Erling Haaland.
Në Ligën C, Maqedonia e Veriut ia doli të triumfojë me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Gjibraltarit, teksa goli i parë ishte tërësisht shqiptar, me asistin e Alioskit dhe finalizimin e Enis Bardhit. Po në këtë Ligë, Gjeorgjia befasoi Bullgarinë në Sofje, duke triumfuar me rezultatin 2-5.