Credins bank e ka kthyer tashmë në një traditë të bukur shndërrimin e ambienteve të bankës në një ekspozitë arti duke mbështetur artistë të njohur shqiptarë. Këtë herë vijmë me krijimtarinë e një piktori që sjell artin e ekspresionizmit abstrakt.
Një ekspozitë fantastike nga Admir Përvathi, një lojë ngjyrash, një larmi lëvizjesh si dhe emocionesh është ajo çfarë dallon që nga momenti që hyn në ambientet e zyrave të Credins bank falë pikturave të kësaj ekspozite të veçantë.
Admir Përvathi, një figurë e rëndësishme e artit, vjen nga një familje artistësh në qytetin e Lezhës. Talenti i tij ka spikatur që në fëmijëri ku shumë nga pikturat e tij janë botuar në revista të ndryshme. Diplomuar në akademinë e arteve, Përvathi ka demonstruar talent e dedikim në fushën e artit duke përfaqësuar Shqipërinë në ekspozita, bienale e panaire të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si në Austri, Romë, Stamboll, Vancouver, Selanik, Luxembourg e shumë vende të tjera. Pikturat e tij janë pjesë e fondit të shumë koleksionistëve në Shqipëri dhe në botë.
Ekspresionizmi abstrakt në pikturat e artistit Përvathi, dallon për diversitet në ngjyra, forma e linja të shumëllojshme. Veprat e tij na ri sjellin në mendje rëndësinë e lirisë së të shprehurit, spontanitetin si dhe zërin individual të koncepteve personale që secili nga ne ka. Të gjitha këto të paraqitura në një varietet teknikash e formash unike.
Credins bank përherë vlerëson artin, të bukurën e çdo forme, si dhe diversitetin që çdo artist sjell. E bëjmë me një kënaqësi të veçantë, duke dashur të japim kontributin tonë modest për të promovuar artin dhe artistët tanë, si dhe punën dhe krijimtarinë e tyre të mrekullueshme.
Të lumtur që të gjithë bashkë si staf, po dhe për çdo klient që hyn në bankën tonë, të kemi mundësi që jo vetëm t’u shërbejmë me profesionalizëm për shërbimet tona bankare, por dhe t’ua bëjmë më të këndshme klientëve tanë ardhjen në bankë.
Credins Bank do të vazhdojë rrugëtimin e bukur në mbështetje të artistëve.