Sport Cristiano Ronaldo shkruan historinë në rrjetet sociale, 1 miliard ndjekës

Cristiano Ronaldo shkruan historinë në rrjetet sociale, 1 miliard ndjekës

Cristiano Ronaldo, i cili është në garë me veten për të shënuar 1000 gola në karrierë, ka arritur një shifër të jashtëzakonshme ndërkohë jashtë fushe.

Sulmuesi i Al Nassr ka arritur 1 miliard ndjekës në të gjitha rrjetet sociale. Për këtë, ai ka bërë dhe një postim falënderues për të gjithë fansat e tij, ku premton se ka ende shumë për të dhënë.

“Kemi shkruar historinë – 1 miliard ndjekës! Ky është më shumë sesa një numër, është një dëshmi e pasionit tonë të përbashkët dhe dashurisë për futbollin.

Nga rrugët e Madeirës në skenat më të mëdha të botës, unë kam luajtur gjithmonë për familjen time dhe për ju, dhe tani 1 miliardë prej nesh qëndrojnë së bashku. Ju keni qenë me mua në çdo hap të karrierës sime, në çdo etapë të mirë dhe jo të mirë. Ky udhëtim është udhëtimi ynë dhe së bashku kemi treguar se nuk ka kufij në atë që mund të arrijmë. Faleminderit që besoni te mua, për mbështetjen tuaj dhe që jeni pjesë e jetës sime.

Më e mira është përpara nesh dhe do të vazhdojmë të japim maksimumin, të fitojmë dhe të shkruajmë historinë së bashku”, lexohet në postimin e yllit portugez.