Kryqëzimet e jetës dhe pikëtakimet e fatit kanë mënyra misterioze. Kush do ta kishte fituar “Topin e Artë” më 2008, por edhe më 2016 e 2017, nëse Cristiano Ronaldo nuk do të ishte sfiduar që të… shkonte në cirk? Prapaskena zbulohet direkt nga Rio Ferdinand, ish-bashkëlojtar i portugezit në kohën e Manchester United. Sipas ish-mbrojtësit të Anglisë, mentaliteti i CR7 është “një nga më të fortët që kam parë ndonjëherë”, por ishte një episod, që ndodhi herët në përvojën e tij në Premier League, i cili ndihmoi në formësimin e mëtejshëm: “Ai erdhi këtu si djalosh i ri dhe u largua si burrë”.
Gjithçka do të kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje me Ruud van Nistelrooy, në atë kohë “pronar” i sulmit të “Djajve të Kuq”, të drejtuar nga Sir Alex Ferguson. Duket se numri 10 holandez ishte aq i irrituar, që Ronaldo nuk po i shërbente një pasim për gol, saqë iu kthye për ta këshilluar: “Më mirë bashkohu me një cirk”. Në atë kohë, portugezi i ri gëzonte argëtimin e tifozëve duke dribluar me topin, si dhe me shkathtësinë sportive prej “freestyler”. “Ruud ishte njeriu kryesor i Manchester United në atë kohë. Ai shënonte pothuajse të gjitha golat, – kujton Rio Ferdinand. – Ne ishim në stërvitje, Ronaldo po bënte disa driblime, ndërsa Ruud vrapoi në zonë. Cristiano nuk ia pasoi topin dhe Ruud u tërbua. ‘Ai duhej të ishte në cirk, jo në fushën e futbollit’, – bërtiti ai. Ronaldo mbeti i shokuar”.
“Ai ishte 18 ose 19 vjeç në atë kohë, – nënvizon më tej Rio Ferdinand. – Disa djem të tjerë do ta kishin humbur besimin, por Ronaldo e dinte që Ruud mund të kishte të drejtë. Dhe që nga ai moment iu përkushtua vetëm numrave, statistikave dhe golave. Një herë tjetër, holandezi iu drejtuar po kaq ashpër Ronaldos: Ju nuk jeni numri 7 i vërtetë i Manchester United. Ata janë George Best dhe Beckham”. Ruud van Nistelrooy u largua nga “Old Trafford” më 2006 për t’u bashkuar me Real Madridin dhe nga aty, Cristiano Ronaldo u bë CR7 (mori fanellën me numrin 7).
“Duke folur për mentalitetin, unë nuk njoh një lojtar më të fortë dhe më të vendosur se ai, me të cilin kam ndarë dhomën e zhveshjes, – rrëfen Ferdinand. – Ai ishte gjithashtu i fiksuar me stërvitjen ekstra dhe shënimin e golit të fundit”. Që nga ajo kohë, 35-vjeçari i Juventusit është bërë një nga kampionët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ferdinand pranon se ish-shoku i tij i skuadrës u largua nga “Old Trafford” si më i miri: “Erdhi te ne si një fëmijë dhe u largua si lojtari më i mirë në botë”.