Dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” që do të kontrollojnë territorin e Shqipërisë, do të lëshohen në hapësirë në muajin dhjetor.
Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD Ervin Salianji se çfarë masash parashikon Ministria e Brendshme për kontrollin e plotë të territorit nga ana e policisë, si për ndërtimet pa leje ashtu dhe për të ndaluar kultivimin e kanabisit.
Sipas ministrit Çuçi, dy satelitët e Shqipërisë që do të lëshohen në hapësirë në muajin Dhjetor do të kontrollojnë të gjithë territorin e vendit tonë.
“Ndryshimin këtë vit do ta bëjnë dy investime. E para është lëshimi i dy satelitëve të cilët në Dhjetor do të lëshohen dhe që do jenë të dedikuar posaçërisht për Shqipërinë dhe që do të japë një situatë të përditësuar të territorit të Shqipërisë në cilësi shumë të lartë në mënyrë që të identifikohen deri në llojet e bimëve që mund të jenë mbjellë në fusha të caktuara”, deklaroi ministri i Brendshëm në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ku prezantoi projekt-buxhetin për vitin 2023 për Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi.
Përpos satelitëve, territori i vendit do të monitorohet edhe nga disa dronë të armatosur që Shqipëria do të blejë nga Turqia, sikurse ka paralajmëruar Kryeministri Rama më parë, të cilët ndër të tjera shërbejnë edhe për monitorim.
“Dhe investimi që do të bëhet për blerje e dronëve që ndër të tjera bëjnë edhe një kontroll të territorit të Shqipërisë në çdo cep të saj. Besoj se janë dy investime që do ndryshojnë lojën në këtë fushë. Dhe besoj se qeveria jonë e ka treguar me vepra qëndrimin ndaj çdo ndërtimi pa leje dhe sidomos të atyre që ju i quani të mbrojtura. Jemi ne dhe jo ju që po konfiskojmë që po bëjmë që ta blejnë sa frëngu pulën atë pjesë të ndërtimit pa leje qofshin këta çfarëdolloj ndërtuesish”.