Në mënyrë të pazakontë, seanca e kësaj jave në Kuvend, do të zhvillohet ditën e mërkurë, pasi deputetët i kanë dhënë vetes kohë, në mënyrë që të nisen drejt Gjermanisë, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Ndeshja e parë e kuqezinjve do të luhet të shtunën, dhe duke qenë se një pjesë e deputetëve do të nisen me makina drejt Gjermanisë, Kuvendi e ka parë të udhës të përshpejtojë seancën plenare.
Në rendin e ditës në seancën e sotme është projektligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionierit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2023, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.
Sikur të mos mjaftonte zhvendosja e seancës së kësaj jave, edhe të enjten e ardhshme Kuvendi nuk do të mblidhet. Në këtë mënyrë këto 10 ditë turizëm në Gjermani mund të konsiderohen si një pushim i vogël për deputetët përpara se të rikthehen në fund të qershorit, të punojnë deri në fund të korrikut e më pas të marrin pushimet e verës deri në fillim të shtatorit.
Në një kohë që deputetët, dhe e gjithë kupola e politikës, do të jetë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares në Gjermani, për shqiptarët nuk ndryshon asgjë, pasi do të duhet që të shkojnë çdo ditë në punë, në mënyrë që të sigurojnë jetesën e tyre.