Në Shqipëri themi se çudia zgjat vetëm tre ditë. Në rastin e paprecedentë, të anulimit të ndeshjes Kastrioti-Bylis prej kërcënimit të arbitrit Juxhin Xhaja, çudia zgjati vetëm 48 orë.
Pas njoftoi se klubi krutan i kishte bërë presion familjarëve të arbitrit, madje në deklaratën e pazakontë theksoi se kërcënimi me jetë i arbitrave të sistemit VAR shkaktoi edhe trukimin e ndeshjes Kastrioti-Laçi, Federata e Futbollit bëri një hap mbrapa.
Institucioni që drejton futbollin në Shqipëri njoftoi se “ndeshja Kastrioti-Bylis, e vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë Superiore, e planifikuar të zhvillohej më 9 prill, do të luhet të mërkurën e datës 19 prill në stadiumin Elbasan Arena në orën 15:00”.
Në njoftimin e radhës nga FSHF theksohej se vijojnë “kontaktet e vazhdueshme me autoritetet ligj-zbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes”. Aty shtohej se futbollit “pret që gjithçka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund”.
Me këtë njoftim bien poshtë hipotezat për një dënim shembullor të Kastriotit, që mund të çonte deri në përjashtimin e krutanëve nga kampionati. Gjithashtu pritet të mos merret asnjë masë as për kërcënimin me jetë të arbitrave në ndeshjen me Laçin, për të cilin federata pohoi haptazi se u ndikua në rezultatin e ndeshjes.
I vetmi vendim që ka marrë FSHF pas skandalit të radhës në futbollin shqiptar ishte që Kastrioti do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit në stadiumin “Elbasan Arena” për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin “Kamza”.