Atentati tek “Komuna e Parisit”, pak ditë më parë është zbardhur nga një dëshmitar okular, që ka xhiruar të gjithë skenën nga makina e tij.
Shtetasi gjerman në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ka rrëfyer ndjekjen që u bëri autorëve, pas të shtënave me armë në drejtim të 25-vjeçarit, Lorenc Hoxha. Mett rrëfen se ngjarja është xhiruar nga kamera e makinës së tij. Më tej ai i ka ndjekur autorët, madje edhe ka folur me ta, duke i informuar që i kishte xhiruar.
Përse jeni në Shqipëri zoti Mett?
Unë para disa ditësh erdha me familjen nga Gjermania, për pushime.
Ju banoni në Gjermani?
Jam shtetas gjerman.
Si u ndodhët tek “Komuna e Parisit”?
Rastësisht, po shkoja të drekoja me bashkëshorten, kur u bllokua rruga. Para meje ishin dy makina, vjen një makinë e tretë dhe vendoset paralelisht me të parën, nga ajo zbresin me shpejtësi dy të rinj, mënjanova pak makinën për të parë çfarë po ndodh. Mendova se do zihen e të kisha mundësi të dilja nga bllokimi. Menjëherë dëgjova krismë pistolete mbi makinën e parë. Kamera e makinës sime po filmonte aq sa fushëpamje kishte, sepse pengohej nga automjeti para meje. Ata që qëlluan në makinën e parë, hipën në makinë dhe ikën. Atëherë unë dola nga bllokimi dhe me shpejtësi i ndoqa pas. Këtë do ta bënte çdo gjerman. Kalova nëpër makina në distanca të vogla pa prekur askënd. Përpara më doli një qen dhe atë nuk e dëmtova. E arrita makinën dhe u bllokova rrugën e tyre dhe ju thashë “çuna ndaloni, s’keni ku shkoni, jeni filmuar bukur”. Nuk foli asnjëri. Makina tyre ndaloj tek një kazan plehrash. Pastaj unë u largova.
Ju i njihnit ata?
E nga t’i njihja?! Unë nga Gjermania, ata në Shqipëri. S’i kisha parë kurrë. As më interesojnë të di për ta, as kontradiktat e tyre. Mundet të ishin edhe të afërm, si ai që u qëllua apo ata që e qëlluan, për momentin, mua më irritoi veprimi, krimi në mes të qytetit, indiferentizmi i njerëzve prezentë.
Nuk pate frikë?
Jo fare, megjithëse e dija se ata kishin armë dhe unë asgjë, ata ishin tre, unë vetëm me gruan e cila dhe ajo e pamësuar me skena të tilla e nga shpejtësia, më thërriste “mos, kujdes”.
Po të ishe në Gjermani kështu do bëje?
Në Gjermani ka shumë që reagojnë, ndërhyjnë, telefonojnë, policia është kudo, teknika është e përsosur, punohet edhe me satelit në raste të tilla, dronë etj. Po të isha atje, një ngjarje e tillë, do t’ju hyja në makinë, i përplasja makinën se ma njeh dëmin shteti e sigurimi.
Thatë që kamerën e kishte makina apo filmonit me celular?
Makina ka para dhe pas kamera profesionale e punojnë 24 orë dhe kur është në parkim filmon non stop. Kamerat më qartësojnë veprimet a mosveprimet, sinjalistikën, shuan polemikat me policin a automjetet e tjera, është ndihmë për mua. Kësaj radhe ajo filmoi ngjarjen e kjo i duhej policisë.
Pastaj çfarë ndodhi?
Unë kur e pashë se nuk kisha çfarë të bëj më, prita policinë në vendin e ngjarjes që t’i informoja dhe t’i ndihmoja. Sapo vajta, më thanë largohu “vend krimi”, unë kërkova shefin që udhëhiqte hetimin e ngjarjes. Policia e kish vënë në kërkim edhe makinën time, ajo ishte quajtur e dyshuar se e kisha ndjekur me shpejtësi të madhe. Mendonin se ishim pjesë e krimit. Unë i sqarova, u tregova shkurt ngjarjen që pashë, pak nga video e më pas vajtëm në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. Aty dhashë dëshminë time, sqarimet, filmimet e momentit, mora falënderime dhe habi për guximin. Më vonë janë marrë policët e kompetentët, nuk di se kush janë e si janë kapur, as nuk di për gjendjen e të plagosurit.
Si të duket policia shqiptare?
Policia mendoj se është profesioniste, kompetente, të harmonizuar me njëri-tjetrin, vlerësojnë detajet e është mirënjohëse për cilindo që e ndihmon në punën e tyre. Me mua u treguan të sjellshëm e bashkëpunues. Po ka mangësi informacioni nga vendngjarja, teknika, elektronika aq sa pashë unë. Aty në vendngjarje kishte disa kamera me sa më thanë më pas, por jocilësore, jo kamera inteligjente. Ajo që dua të them e të bëj apel është një vërejtje a këshillë për qytetarët. Ka indiferentizëm, frikë, mosbesim se policia i keqpërdor informacionet, psikoza që të mos përzihen, njerëzit iknin. Dhe mua më çorientonin disa që thonë “çfarë t’u desh”, “po sikur”, “ka dhe polic që nuk ndërhyn..” etj. Unë kam bërë përgatitje në ushtrinë gjermane për situata të tilla emergjenca, krime e situata të ngjashme. Nga natyra nuk kam frikë e i dal zot vetes në çdo situatë.
Çfarë keni për të shtuar tjetër?
Këtë nuk e bëra për famë, gazeta, TV a emër, e bëra se do dëshiroja ta bënin edhe shumë të tjerë. Po të isha unë, i afërmi a miku im ai që u qëllua? Dëshiroj që Shqipëria edhe në këtë fushë të bëhet Europë, të parandalohen krimet dhe kriminelët të kapem. Indiferentizmi i qytetarëve aq sa ka mundësi të mos jetë, po secili të japë ndihmesë, kjo do t’i krijonte barrikadë krimit të organizuar, do të ndalonte vrasjet a vjedhjet apo veprimet e pa ligjshme. Është çuditëse mënyra indiferente e qytetarëve në raste të tilla. Atij të plagosurit i uroj shërim të shpejtë. Asnjëri nuk mundet të bëjë vetëgjyqësi, vetëm gjykatat duhet të vendosin për secilin.