Kulturë Da Vinçi, udhëtim në gjurmët e një gjeniu

Da Vinçi, udhëtim në gjurmët e një gjeniu

2019-ta shënon 500-vjetorin e vdekjes së Leonardo da Vinçi, një nga figurat-ikonë të historisë së njerëzimit – piktor, shpikës, arkitekt, studiues. Një gjeni.

Platforma Virail sugjeron një itinerar në Itali, në zbulim të veprave të Gjeniut. Duke nisur nga Anchiano, aty ku lindi Leonardo, në Milano, për të admiruar kryeveprën e tij të “Cenacolo”, duke mos harruar disa “klishe” si “Scapigliata” në Parma dhe “Uomo Vitruviano” në Venecia.

Anchiano

Për të përshkuar gjurmët e Leonardos, e nisim nga Anchiano, vend lidhet me Vinci nëpërmjet rrugës së lashtë të quajtur Strada Verde. Në këtë peizazh të pasur me vreshta dhe ullinj shekullorë lindi më 15 prill 1552 Leonardo da Vinçi.

Vinci

Në Vinci, ndër vendet që dëshmojnë praninë e Leonardos është Kisha Santa Croce (Kryqi i Shenjtë) ku ruhet burimi i pagëzimit ku besohet se u pagëzua artisti në vitin 1452. Për të parë koleksionin më antik të modeleve të veprave të Leonardos arkitekt, shkencëtar dhe inxhinier duhet të vizitoni Muzeun Leonardo da Vinçi – një qendër e vërtetë dokumentimi mbi punën teknike dhe shkencore të Leonardos që përfshin edhe një seksion origjinal kushtuar trupit të njeriut. Ju nuk duhet ta humbisni kurrsesi edhe një vizitë në Bibliotekën e pasur të Leonardos, Biblioteca Leonardiana.

Kodi Leicester në Firence

Këtë vit Firence përkujton Leonardon, i cili u formua si artist në qytetin toskan, në studion e piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio. Kodi Leicester është një dorëshkrim i Da Vinçit, me 36 fletë, i viteve 1506 – 1510 (sot në pronësi të Bill Gates) i cili mund të shfletohet falë projektit multimedial të quajtur Codescope.

Galleria Uffizi, Firence

Në Galerinë Uffizi, ju nuk duhet të lini pa vizituar kurrsesi Sallën 35 ku ndodhen tre vepra të Da Vinçit, “Battesimo di Cristo” rreth viteve 1470-1475, në bashkëpunim me mjeshtrin Andrea del Verrocchio; “Annunciazione” (1472), me krahët e engjëllit që të sjellin ndër mend ato të një grabitqari dhe “Adorazione dei Magi” (1481) një vepër e destinuar për Kishën San Donato në Scopeto, por mbeti e papërfunduar për shkak të transferimit të Leonardos në Milano, në oborrin e Dukës Ludovico il Moro.

Milano

Në vitin 1482, Leonardo shkon në Milano, në oborrin e Dukës Ludovico di Moro – ku qëndroi për rreth 20 vjet, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si për shembull “l’Ultima Cena” (Darka e fundit).

Biblioteka Ambrosiana, mban që prej vitit 1637, Kodin “Atlantico”, koleksionin më të madh në botë me vizatime dhe shkrime të Leonardo da Vinçi, që trajtojnë tema të ndryshme, nga anatomia në arkitekturë. Por një ndër dëshmitë më të bukura të pranisë së Leonardo da Vinçi në oborrin e Dukës është brenda kështjellës: Sala delle Asse është pikturuar nga Da Vinçi në vitin 1498 dhe do të rihapet për publikun më 2 maj 2019, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Mjeshtrit në Amboise.

Muzeu Kombëtar Leonardo da Vinçi në Milano

Koleksioni më i rëndësishëm në botë i modeleve leonardeske të realizuar mes viteve 1952 – 1956 nga një grup studiuesish duke interpretuar vizatimet e artistit. Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, muzeu organizon (deri më 13 tetor 2019) ekspozitën e përkohshme “Leonardo da Vinci Parade”: realizuar në bashkëpunim me Pinacoteca të Brera-s, një ndërthurje e pazakontë e artit dhe shkencës, shfaq një koleksion të pasur modelesh historike që frymëzohen nga vizatimet e Leonardos. Për të zbuluar një tjetër pasion të Leonardo da Vinçi, duhet të shkoni në vreshtën që Duka Ludovico il Moro i dhuroi artistit. Vreshta, rreth 8300 metra katrorë, e cila ndodhet në pjesën e pasme të Casa degli Atellani në Milano, është e hapur për publikun.

“Uomo vitruviano” (Njeriu Vitruvian) në Venecia

Jemi mësuar ta shohin çdo ditë në monedhat 1 euroshe, por për të parë vizatimin origjinal të Njeriut Vitruvian duhet të shkoni në Venecia, i cili ruhet në Gallerie dell’Accademia. Për fat të keq, ashtu si pjesa më e madhe e vizatimeve në letër, për qëllime ruajtje, ajo shfaqet rrallë për publikun. Ky vizatim u bë në vitin 1490, kur artisti ishte duke udhëtuar për në Pavia

Parma – “Scapigliata” misterioze

Duke vijuar në gjurmën e veprave të Leonardos në Itali, ju nuk duhet të lini pa vizituar Galerinë Kombëtare të Parmës ku është e ekspozuar Koka e një vajze (La Scapigliata). Ndoshta piktura është e papërfunduar, rrethohet nga misteri sa i përket datës (ndoshta më 1508) dhe destinacionit të tij.

Shën Jeronimi, në Pinacoteca Vaticana – Shkojmë në Romë, në Qytetin e Vatikanit. Në Pinacoteca Vaticana, pjesë e Muzeve të Vatikanit, ndodhet piktura e Shën Jeronimit, një vepër që i kushton rëndësi të madhe anatomisë. Është e papërfunduar dhe daton rreth vitit 1480.