Tabloidi britanik “Daily Mail” ka publikuar një shkrim të radhës mbi shtetasit shqiptarë që po shlyejnë dënimet në burgjet angleze, bazuar në një hulumtim të pavarur prej të cilit ka rezultuar se të dënuarit kanë shpërfillur rregullat e sigurisë, duke përdorur lirshëm aparatet celularë për të komunikuar me botën përtej hekurave.
Pavarësisht investimit prej 100 milionë paundësh të qeverisë britanike për fuqizimin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit, “zotërit e krimit, përdorin celularë dhe bëjnë festa të çmendura në qeli dhe kontaktojnë hapur me bashkëpunëtorët që ndodhen jashtë”.
Investigimi i “Daily Mail” ka identifikuar se të paktën shtatë të burgosur shqiptarë përdorin celularë dhe janë aktivë në rrjetet sociale. Media britanike shton se ndër personat e identifikuar, është edhe një baron shqiptar i drogës, i dënuar me 12 vjet heqje lirie për drejtimin e një bande që trafikonte lëndët narkotike të llojit “kokainë” dhe “canabbis sativa”. “Ai përdor telefon në burg, duke postuar video live në Facebook. Postimet e tij shihen nga pothuaj 70,000 njerëz”.
Fragment nga shkrimi i “Daily Mail”:
Në video ai filmon veten dhe të burgosurit, të cilët shihen me celularë në duar teksa janë duke kërcyer dhe qeshur.
Pasi Daily Mail publikoi investigimin, Ministria e Drejtësisë, tha se llogaritë e medieve sociale të përdorura nga shtatë të burgosurit ishin të mbyllura. Telefonat u konfiskuan dhe të burgosurit po përballen me ndëshkime.
Trafikanti i kokainës Ndriçim Musaj u burgos për nëntë vjet në gusht të 2016, pasi oficerët i sekuestruan një mitraloz dhe drogë me një vlerë prej 6.4 milion paund. Por muajin e kaluar ai postoi një fotografi të vetes në faqen e tij në Facebook të ulur në një stol në kopshtin e burgut me titullin “Ndjehem mirë”, së bashku me një emoji të një fytyre të buzëqeshur.
Ai i tha një reporteri nga Facebook se ishte “në burg” dhe madje me krenari i dërgoi një shkrim gazete për dënimin e tij për trafikun e drogës. I pyetur se sa kushtoi të futej një telefon në burg, ai tha: “1.500 paund”.
Një tjetër i burgosur duke postuar video në grupin “The Best” në Facebook foli për ndjekësit edhe për markat e telefonave që ka përdorur. Ai tha: “Unë kam përdorur Samsung dhe iPhone por mendoj se Sony është më i mirë”.
Një zëdhënës i Shërbimit të Burgjeve tha: “Kjo sjellje nuk do të tolerohet kurrë dhe personat e përfshirë në shkelje të tilla do të ndëshkohen. Qeveria është e vendosur të rindërtojë besimin në sistemin e drejtësisë”.
Facebook tha: “Kur ne njoftohemi për llogari aktive që përdoren nga burgu, ne zbatojmë urdhrat ligjorë për t’ua bllokuar”.