Aktualitet “Daja hajde shpejt”! Vëllai i 31-vjeçares që u vra nga burri kërkon...

“Daja hajde shpejt”! Vëllai i 31-vjeçares që u vra nga burri kërkon ndihmën e shqiptarëve: La pas 4 fëmijë

Erjon Kanolja, vëllai i 31-vjeçares Etleva Bodi, që u vra nga bashkëshorti i saj në Itali, ka kërkuar ndihmë për sjelljen e trupin të motrës në Shqipëri.

Ajo ndërroi jetë mbrëmjen djeshme njofton vëllai i saj, pasi u bë viktimë e bashkëshortit për shkaqe xhelozie. Vëllai i viktimës tregon se është lajmëruar nga nipi vetëm 13 vjeç për ngjarjen e rëndë, i cili e ka telefonuar “Daja, hajde shpejt”.

Përmes një llogarie në ‘Gofoundme’, vëllai i Etlevës kërkon ndihmë monetare jo vetëm për të sjellë trupin e së motrës, por edhe për 4 fëmijët e mitur që kanë ngelur tashmë jetim.

“Quhem Erjon Kanolja. Ngjarja e rendë që ndodhi mbrëmjen e 27 tetorit në Savona të Italisë, i mori jetën motrës sime të pafajshme Etleva Bodi, e cila u bë viktimë e bashkëshortit të saj dhe e episodeve të tij të sëmura të xhelozisë.  Lajmërohem atë mbrëmje nga nipi im, i cili është veçse një fëmijë 13 vjeç : “Daja, hajde shpejt”-, ishte thirrja e tij. Forcat policore dhe mjekësore dhanë maksimumin e tyre për të shpëtuar jetën e motrës sime por ajo e pati të pamundur të mbijetonte për shkak të traumës që pësoi dhe ndërroi jetë mbrëmjen e 29 Tetorit ora 21:00. Motra ime la pas 4 fëmijë, ku me i madhi prej tyre është 13 vjeç. Të 4-tërt këta fëmijë tani janë në dorë të drejtësisë italiane dhe fatit, pasi e ëma e tyre ndërroi jetë dhe i ati i tyre gjendet nën arrest.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve dhe personave të ndjeshëm ndaj kësaj fatkeqësie që na ka ndodhur të na ndihmojnë sadopak të sjellim trupin e pajetë të motrës sonë në Shqipëri dhe gjithashtu ndihmë sadopak për rehabilitimin që do tu bëhet 4 fëmijëve të saj të mitur që ajo la pas”, thuhet në apelin e të vëllait.

31-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve të mitur, nuk mundi të mbijetojë pavarësisht ndihmës mjekësore të mjekëve të spitalit San Paolo në Savona.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të së premtes, ku 41-vjeçari shqiptar, Selami Bodi, sipas mediave italiane, njoftoi urgjencën pasi gruaja e tij nuk merrte dot frymë.

Por pas ndihmës së parë të dhënë nga urgjenca, rezultoi se Etleva Bodi ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u arrestua nga policia italiane dhe tashmë akuzohet për vrasje. Shkak u bë një debat mes tyre për motive xhelozie.

Bodi, nënë e 4-fëmijëve, nuk i mbijetoi dot plagëve të marra nga bashkëshorti i saj Selami Bodi, i cili tentoi ta mbyste në ambientet e banesës.

41-vjeçari Selami Bodi, u arrestua nga karabinierët e komandës provinciale të Savonës të drejtuar nga komandanti i kompanisë Fabio Truddaiu. Ai tashmë ndodhet në burgun në Marassi, i akuzuar për vrasje.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 27 tetorit në Savona dhe dyshohet se shkak për grindjen mes çiftit është bërë xhelozia.

Ditën e ngjarjes katër fëmijët flinin në dhomat ngjitur me dhomën e gjumit të nënës së tyre kur bashkëshorti tentoi ta mbyste.

Dyshohet se burri e gjeti bashkëshorten duke folur në telefon dhe e sulmoi duke e mbytur dhe lënë pa ndjenja në dyshemenë e dhomës së tyre.

Më pas ai telefonoi ambulancën, ku personeli mjekësor e gjeti në gjendje të rëndë.

Pas 60 minutash në reaminacion, mjekët arritën t’i kthenin frymëmarrjen viktimës, por ajo nuk i mbijetoi dot plagëve të marra duke ndërruar jetë këtë të hënë.