Atentati i mbrëmshëm ka dyshime të ketë pasur në shënjestër Edmond Crrojin, i cili është njëri nga personat që ndodhet në situatë delikate në spitalin e Traumës.
Daja i dy vëllezërve Çela, viktimës Erion dhe të plagosurit Blerim, rezulton i skeduar disa kohë më parë për dy vepra penale atë të trafikut të narkotikëve dhe prostitucionin.
Në vendin e ngjarjes policia nuk ka gjetur gëzhoja, ndonëse hetuesit kanë dyshime se është qëlluar rreth 15 herë. Ky element shton dhe më tej dyshimet se ka qenë një atentat i mirëorganizuar.
Tre kanë qenë autorët të cilët kanë qëlluar nga brenda mjetit Mercedez, duke shmangur rënien e gëzhojave jashtë tij.
Shënjestrat e atentatit dyshohet të jenë mbajtur në vëzhgim. Ndërkohë 19-vjeçari i mbetur i plagosur dhe i raportuar se ishte kamarier në lokal, Azbi Selimaj, rezulton i njohur i shënjestrave, por punonte kamarier në një bar kafe në tjetër zonë.
Dy prej të plagosurve, Azbi Selimaj dhe Arben Dani, kanë dhënë dëshminë e tyre për grupin hetimor. Ata kanë thënë për policinë se nuk kanë mundur që të shikojnë asgjë dhe nuk i kanë vënë re atentatorët, vetëm kur janë gjendur nën breshërinë e plumbave.
Të 4 të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Dëshmia e dy prej tyre nuk ka ndihmuar shumë grupin hetimor. As në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka do të thotë se autori ka qëlluar nga brenda makinës duke mos lënë prova në vendngjarje.