Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore zhvilloi këtë të hënë mbledhjen e parë që pas pezullimit të punës për shkak nisjes së pandemisë në vendin tonë.
Në diskutimet që u zhvilluan online, opozita ishte e përfaqësuar nga ish-deputetët Oerd Bylykbashki dhe Petrit Vasili. Opozitarët jashtëparlamentarë kanë kërkuar mbylljen sa më shpejt të Reformës zgjedhore. Prandaj, në një njoftim për mediat, selia blu njoftoi se përfaqësuesit e saj i kanë dërguar tre kërkesa palës tjetër.
“1. Reforma të mos vonohet më tej, por të mbarojë deri në 31 maj.
- Në këtë funksion, takimet mes palëve duhet të rikthehen në formatin e tryezës ballë për ballë, jo përmes komunikimit online.
- Puna e Këshillit Politik të rinisë me çështjet e propozuara nga opozita, në mënyrë që pala tjetër të mbajë një qendrim për të gjitha propozimet e lëna pa përgjigje deri tani”.
Mbyllja e Reformës Zgjedhore brenda 31 Majit duket se është pranuar nga të gjitha palët. Këtë gjë e konfirmoi në një komunikim për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, përfaqësuesi i qeverisë Damian Gjiknuri. Ai u shpreh se mes palëve është rënë dakord që reforma të mbyllet brenda Majit.
“Ramë dakord që në Maj kjo duhet mbyllur”, tha Gjiknuri.
E ndërsa kjo mori miratimin e mazhorancës, palët ndahen tek çështjet që do të diskutohen. Opozita ka kërkuar që puna e Këshillit Politik të rinisë me çështjet e propozuara nga opozita. Por Gjiknuri tha se nuk mund të ketë rifillim loje. Diskutimet do të fillojnë aty ku u lanë sipas tij.
“Duhet bërë e qartë që nuk kemi të bëjmë rifillim loje, por me aty ku e lamë. Nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para”, tha Gjiknuri.
Mirëpo sipas opozitës deklaratat e Gjiknurit tregojnë mungesën e vullnetit të mazhorancës. ai u shpreh se opozita kërkon që të dijë vullnetin politik të qeverisë për çështjet madhore.
Sa i përket diskutimeve, Bylykbashi tha se “nuk do i rikthehemi sepse çështjet janë mbi tryezë”.
“Nuk i rikthehemi asnjë çështje, çështjet i kemi mbi tryezë. Është mazhoranca që nuk ka dhënë asnjë përgjigje”, tha Bylykbashi.
Gjiknuri u shpreh se për çështjet që opozita dhe mazhoranca nuk kanë konsensus do të merret rekomandimi i OSBE/ODIHR, ashtu siç është rënë dakord.
Përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u shpreh gjithashtu se Reforma Zgjedhore duhet të mbyllet sa më shpejt, por theksin e vuri tek sistemi zgjedhor që sipas saj duhet të ndryshojë.