Kryesore Dalic ndryshon skemën: Brozoviç bëhet “kurban”, ja si mund të luajë Kroacia...

Dalic ndryshon skemën: Brozoviç bëhet “kurban”, ja si mund të luajë Kroacia përballë Shqipërisë

Humbja 3-0 përballë Spanjës në ndeshjen e parë në grup, nuk ka lënë një shije të mirë te tifozët kroatë, teksa mediat sportive në vend kanë kritikuar zgjedhjet e teknikut Zlatko Daliç.

Ndeshja e radhës me Shqipërinë, që do të luhet të mërkurën në Hamburg është vendimtare për fatin e Kroacisë në Euro 2024 dhe për këtë arsye, Daliç besohet se do të bëjë ndryshime në formacion.

Energji të reja dhe më shumë angazhim në fushë që buron nga pritshmëritë e ndeshjes dhe përqasja ndaj lojës do të ndikojnë te 11 titullare dhe Daliç ka bërë të ditur se kundër kuqezinjve të Silvinjos do të luajë me skemën 4-2-3-1.

MESFUSHA

Treshja legjendare e mesfushës – Modriç, Brozoviç, Kovaçiç- do të copëtohet dhe vetëm dy prej tyre do të zbresin në fushë. Kapiteni Modriç është i sigurt në formacion, kurse Kovaçiç duket se ka avantazh ndaj Brozoviç.

Me eliminimin e një mesfushori qendror dilema për analistët sportiv në Kroaci është nëse Daliç do të luajë me një anësor më tepër. Nëse është një anësor, alternativat janë Perisiç, Pjaca apo Ivanusec. Me këtë zgjedhje, Kramariç do të luante si një “dhjetë”, Majer ndoshta do të aktivizohet në të djathtë dhe Budimir si qendërsulmues.

Por nëse vendin e Brozoviç do ta zëjë një tjetër mesfushor në formacion, atëherë ka betejë mes Mario Pasaliç, Baturina dhe Suçiç.

MBROJTJA

Daliç ka shprehur në konferencë skepticizmin e tij nëse nga minuta e parë do të luajë Perisiç apo Juranoviç.

Sakaq, meqenëse Marin Pongraçiç mund të kishte bërë më shumë me disa nga golat e pësuar, nuk do të ishte çudi nëse Joshko Gvardiol do të kthehej në qendërmbrojtës dhe Borna Sosa ose Josip Juranoviç do të fillonin në të majtë.

Daliç nuk është i prirur të rrezikojë shumë, ndaj nuk përjashtojmë që në vend të Pongraciçi të nisin Erliç apo Vida dhe Gvardiol të qëndrojë në të majtë. Juranoviç, natyrisht, mund të luajë në të djathtë, ku në ndeshjen e parë iu besua Stanishiç si titullar.

SULMI

Sulmi duket se është i sigurtë për Budimir që do të ketë një shanc të dytë, edhe pse Petkoviç mund të ketë diçka për të thënë kur kundërshtari është Shqipëria.

Daliç pritet të vendosë pikat mbi “i” pasditen e sotme, pas seancës stërvitore të orës 18:00 në Neuruppin, ku do të punojë për taktikat kryesore.

Formacioni mund të jetë ky: Livakoviç – Juranoviç, Šutalo, Gvardiol, Sosa – Modriç, Kovaçiç – Majer, Pasaliç, Kramariç – Budimir.