Aktualitet Dalin pamjet e grabitjes në Astir, policia: 5 mijë euro shpërblim për...

Dalin pamjet e grabitjes në Astir, policia: 5 mijë euro shpërblim për informacione mbi autorin

Policia e Tiranës ka bërë publike pamjet e grabitjes së një pike transfertash parash në zonën e Astirit në Tiranë. Policia ka vendosur një shpërblim prej 5 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

“DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njoftoi policia.

Siç duket edhe nga këto pamje, autori, është futur në pikët e transfertave të parave dhe këmbimit valutor dhe me një armë ka kërcënuar punonjëset që ndodheshin aty. Sipas policisë pasi ka marrë një shumë parash ai është larguar me biçikletë. Autori ka qenë i maskuar me një kapele dhe një maskë anti-Covid.

Shuma e vjedhur është e konsiderueshme. Sipas dëshmive të punonjëseve dhe pronarit të subjektit, bëhet fjalë për një shifër prej 30 mijë Eurosh. Megjithatë kjo pritet për t’u saktësuar pasi në informacionin e policisë nuk ka një shifër zyrtare që është vjedhur.