Policia e Shtetit jep informacion për operacionin “Shënkolli” në Elbasan, ku u arrestuan për trafik droge shokët e Shullazit dhe Capajve.
Në njoftim thuhet se organizatorë të grupit kriminal janë Agron Qafa, 45 vjeç dhe Klajdi Gjeci 32 vjeç. Ata siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.
Goditet një grup i strukturuar kriminal në fushën e tregëtimit të drogave të forta, kryesisht kokainë.
Gjatë ditës së sotme, në funksion të procedimit penal të vitit 2018 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënkolli”.
Në operacion u përfshinë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Reparti RENEA dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ku u bë i mundur arrestimi i shtetasve:
K. Gj., 32 vjeç, banues në Elbasan me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit;
A. Q., 45 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit;
S. P., 23 vjeç, banues në Elbasan;
L. D., 35 vjeç, banues në Elbasan;
L. Gj., 25 vjeç, banues në Elbasan;
K. T., 31 vjeç, banues në Elbasan.
Si dhe ndiqen në gjendje të lirë dy shtetase.
Shtetasit A. Q., dhe K. Gj., si organizatorë të grupit kriminal, siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.
Policia gjatë kontrollit fizik të krerëve të grupit, por edhe kontrollit në banesat e tyre, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej rreth 550 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.