Aktualitet Dalin pamjet/ Si u dhunua avokati Sokol Mëngjesi (VIDEO)

Dalin pamjet/ Si u dhunua avokati Sokol Mëngjesi (VIDEO)

Ka dalë videoja nga momenti i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje që ka ndodhur paraditen e sotme.

Në video, shikohet avokati që po del nga një kopsht në zonën e ish-bllokut në rrugën “Pjetër Bogdani” pasi la fëmijën.

Avokati ka qenë duke u largua nga kopshti kur është goditur nga 3 persona.

Avokati është goditur fillimisht në kokë, duke rënë menjëherë në tokë.

Ndërsa avokati rrëzohet në tokë, agresorët e kanë qëlluar sërish.

Autorët janë larguar me vrap, duke e lënë të shtrirë në tokë.

Policia zbardh shkakun përse u dhunua avokati

Policia e Tiranës ka zbardhur shkakun e dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se avokati u godit për shkak të detyrës.

Sipas tij, avokati ka përfaqësuar në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë.

Proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore.

Policia e Tiranës bëri të ditur se autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia.

Ndërsa një person i katërt i quajtur Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja me makinën Audi me targa AB696JT. Ndërsa si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano 58 vjeç të cilin e ka shoqëruar me iniciativë.

Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës e ka referuar dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes së funksionarëve publik të mbetur në tentativë.

Ndërkohë, teksa Tonin Vocaj ishte në konferencë shtypi, njëri nga autorët e dyshuar, Dorian Alia 32 vjeç u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.

I pyetur nga gazetarët, Tonin Vocaj bëri të ditur se përpara 1 muaji, ka patur një takim mes palëve, që pasoi me ngjarjen e ditës së sotme.

Moszbatimi i kontratës me avokatin i njërit prej trashëgimtarëve

8 trashëgimtarë të tokës kanë patur përfaqësues avokat Sokol Mëngjesin. Njëri nga 8 trashëgimtarët, Dritan Nano nuk ka pranuar zbatojë kontratën pas fitimit të pronës. Në këtë situatë avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur. Vetëm Dritan Nano nuk e ka pranuar.

Avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos për moszbatimin e kontratës që e ka fituar, dhe përmbarimi i ka bllokuar pronën duke mos e lejuar që të shitet. Në këtë situatë Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Takimi i parë ka qenë përpara një muaji por nuk kanë rënë dakord.