Detaje të reja janë zbardhur nga deklarimet e dhënë nga Dan Hutra, autori i vrαsjes në trefishtë paraditen e së mërkurës në Tiranë. 40-vjeçari u tha forcave të policisë që i vunë prangat në zonën e Sharrës se nuk ishte penduar.
“Nuk jam i penduar. Doja ta bëja atë që bëra ndaj nuk pendohem”, – mësohet të ketë thënë 40-vjeçari. Ai ka pohuar se i kishte planifikuar këto vrasje, duke mirëmenduar gjithçka.
“Vrasjet i kisha të planifikuara që në burg”, – mësohet të ketë thënë ai duke shtuar se “i kanë hyrë në hak”.
Pasi plagosi të dashurën, Marjana Gurakuqi në Astir ai mësyu në shtëpinë e ish-bashkëjetueses me të cilën kishte edhe një fëmijë 1 vjeç. Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, kunata me njëra-tjetrën u vranë nga Dan Hutra teksa lanin makinën e tyre në oborrin e shtëpisë. Hutra ka nisur të qëllojë që në momentin që është afruar pranë derës së familjes Hysa.
Të shtënat me armë kanë bërë që në oborrin e shtëpisë të dilnin edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Kështu, Hutra ka nisur të qëllojë sërish duke lënë të plagosura dhe dy të tjera, Elena Hysa, 35 vjeçe, ish-gruaja e Hutrës dhe Kujtime Hysa 60 vjeçe, nëna e saj.
Hutra s’u ndal me kaq. Për hakmarrje, ai vrau me armë zjarri edhe Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit që është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e Agim Buçit. Dan Hutra u arrestua në Sharrë, pas 7 orësh arrati.
Autori ishte i vendosur për këtë kryer këto ngjarje të rënda që në momentin kur Elena dhe familja e saj e kishin kallëzuar këtë të fundit për dhunë dhe kërcënime.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se mbrëmjen e djeshme është marrë një deklaratë e hollësishme e 40-vjeçarit, Dan Hutra. Vocaj ka thënë për mediat se autori i masakrës ka qenë bashkëpunues me policinë. Sipas drejtorit të policisë Hutra ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Vocaj nënvizoi se deklarata do t’i paraqitet sot prokurorëve.
“Nga struktura e krimeve të rëndë të policisë së Tiranës mbrëmë është marrë një deklarim i hollësishëm i gjithë dinamikës së ngjarjes së ndodhur. Dua të deklaroj para jush se autori i kësaj ngjarje të rëndë ka qenë bashkëpunues me policinë. Ai ka treguar gjithë dinamikën. Megjithëse duhet të theksoj që dinamika që kam deklaruar ka qenë në prova të pakundërshtueshme. Autori e ka konfirmuar dhe ka qenë bashkëpunues”, – tha Vocaj.