Danimarka ka njoftuar se do të rekrutojë femrat në shërbimin ushtarak duke filluar nga viti 2026, si edhe do të zgjasë shërbimin ushtarak nga katër në 11 muaj si për burrat ashtu edhe për gratë, duke u bërë kështu vendi e tretë europian, së bashku me Norvegjinë dhe Suedinë, që kërkon që gratë të shërbejnë në forcat ushtarake.
Kopenhagen gjithashtu dëshiron të rrisë buxhetin e mbrojtjes me gati 6 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s.
“Ne nuk riarmatosemi sepse duam luftë. Po riarmatosemi sepse duam ta shmangim”, deklaroi kryeministrja Mette Frederiksen, duke shtuar se qeveria po përpiqet të arrijë “barazinë e plotë midis gjinive”.
Për këtë temë foli edhe ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen.
“Një rekrutim më i fuqishëm, që përfshin barazinë e plotë gjinore, duhet të ndihmojë në zgjidhjen e sfidave të mbrojtjes, mobilizimit kombëtar dhe pajisjeve të forcave tona të armatosura”.
Në Danimarkë, gratë aktualisht mund të ofrohen si vullnetare për shërbimin ushtarak. Vitin e kaluar, 4700 persona shërbyen në ushtri, rreth 25 për qind e të cilëve ishin gra. Ky numër do të rritet në 5000 në vit. Forcat e Armatosura Daneze aktualisht kanë rreth 20,000 personel aktiv, duke përfshirë rreth 9,000 trupa profesionistë.