Danimarka do të hapë kufijtë për të gjithë ata që koronavirusi i ka ndarë nga partneri, por që t’i lejohet hyrja në këtë vend, duhet të vërtetojnë lidhjen me foto.
Ky lëshim do të bëhet nga e hëna për të gjithë personat që jetojnë në Gjermani, Finlandë, Islandë, Norvegji dhe Suedi. Të gjithë këta njerëz duhet të provojnë lidhjen e tyre me një danez apo daneze me anë të fotove apo sms-ve.
Gjithashtu, do të duhet emri, adresa dhe kontakti i personit që jeton në Danimarkë, gjithashtu dhe historiku i telefonatave mes tyre për të vërtetuar historinë e marrëdhënies.
Autoritetet daneze bëjnë me dije se kjo gjë vlen vetëm për çiftet që kanë qenë në lidhje prej të paktën 6 muajsh dhe për ato çifte që janë takuar më parë fizikisht. Kjo do të thotë se ata që kanë mbajtur lidhje vetëm “online” do të duhet të presin ende për t’u takuar personalisht.