Ishujt Faroe janë një arkipelag i vogël autonom me 18 ishuj, i vendosur midis Skocisë dhe Islandës, i integruar në Mbretërinë e Danimarkës. Që nga viti 1948 ka pavarësi për disa gjëra, mes të cilave skuadra e futbollit e këtij vendi luan rregullisht kualifikueset e Kupës së Botës dhe Evropianit.
Ata janë gjithashtu të lirë të nënshkruajnë marrëveshje tregtare. Një nga burimet kryesore të të ardhurave të tyre është peshkimi. Dhe këtu është kleçka: Ishujt Faroe kanë një marrëveshje historike detare me Rusinë, e cila është ende në fuqi dhe rinovohet çdo vit.
Marrëveshja i lejon peshkatarët e Faroes të peshkojnë për merluc në Detin Barents, afër Rusisë, ndërsa peshkatarët rusë mund të peshkojnë një lloj peshku blu në detin e Faroes. Kjo nuk i pëlqen as Evropës, as Mbretërisë së Bashkuar dhe as Lars Lokke Rasmussen, ministrit të Jashtëm danez, i cili vuri në dukje se nëse duan të jenë më afër Bashkimit Evropian, Ishujt Faroe duhet të konsiderojnë “me kujdes” marrëveshjen e tyre të peshkimit me Rusinë.
Në vitin 2022, qeveria e Torshavn, kryeqyteti i Faroeve, vendosi sanksione ndaj Rusisë për herë të parë për konfliktin me Ukrainën, por la të paprekur marrëdhënien e tyre të peshkimit.
Sepse që nga viti 1977, në kohën e Bashkimit Sovjetik, Ishujt Faroe kanë pasur lidhje tregtare me Rusinë dhe ato kanë vazhduar edhe në epokën postsovjetike. Ata nënshkruan disa bashkëpunime, i fundit u përditësua në vitin 2018 dhe Ishujt Faroe, duke qenë jashtë Bashkimit Evropian, nuk i panë të prekura marrëdhëniet e tyre me Rusinë pas shpërthimit të luftës. Danimarka ka qëndruar gjithmonë jashtë marrëveshjeve ruso-faroeze, por tani ajo kërkon një përfshirje më të madhe për arkipelagun për t’u afruar me BE-në.
“Ndoshta është e vështirë të imagjinohet se të dyja palët (Rusia dhe Ishujt Faroe) mund të mbajnë një marrëdhënie kaq të veçantë dhe në të njëjtën kohë (Ishujt Faroe) mund të thellojnë marrëdhëniet e tyre me Evropën”, tha Rasmussen.
Kryeministri i ishujve, Aksel Johannesen, dënoi hapur sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës: “Ne jemi kundër kësaj lufte, ashtu si pjesa tjetër e botës. Megjithatë, peshkimi dhe menaxhimi i peshkimit janë thelbësore për ne. Është pothuajse 100% e jetesës sonë”.