Kryeministri Edi Rama ka reaguar sa i takon komenteve për mosftesën nga ana e Greqisë në darkën informale të organizuar nga kjo e fundit me liderët Ballkanit Perëndimor
Rama shpjegon fillimisht se pse nuk ka reaguar deri më tani.
“Nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre”.
Rama thekson se do të donte të mos e shihte darkën si një mjet i përdorur “për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës”.
Kryeministri sjell në vëmendje se në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë.
“Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, shkruan Rama duke e krahasuar situatën me ftesën që pala greke i bëri presidentit shqiptar, Bajram Begaj.
Rama thekson se kupton presionin e palëve të treta, por “ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur”.
Reagimi i plotë i Ramës:
Kjo është përgjigjia ime për të gjithë, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë që komentuan në mënyra të ndryshme për mungesën time në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje përpara takimit informal. Arsyeja është e thjeshtë: Nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, për të bërë më shumë zhurmë përpara se miqtë e mi të mirë që u mblodhën në Athinë të përfundonin punën e tyre.
Jam shumë i lumtur që Kyriakos mori iniciativën dhe me liderë të tjerë shumë të rëndësishëm të diskutojnë për të ardhmen europiane të Ballkanit nën sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, edhe publikisht në disa raste, se besoj sinqerisht që vendi i tyre ka rol të natyrshëm në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht nuk doja të shikoja që darka të përdorej për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit ambicioz të nismës.
Për sa më përket mua, të flasësh, komunikosh, debatosh me miqtë, aleatët, partnerët, fqinjët është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe gjithmonë të përpiqesh të vendosësh veten në vendin e tjetrit është domosdoshmëri. Aq më tepër kur duket se gjërat po shkojnë keq.
Në Tetor Shqipëria do të kryesojë samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Natyrisht që miku im i dashur dhe kolegu i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk do ta imagjinoja kurrë që t’i përgjigjesha njësoj, që në vend të tij të ftoja Presidenten greke, për të cilën kam gjithashtu respekt të madh.
Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, që janë të etur për të shfrytëzuar çdo rast. Por përpara kemi sfida shumë më të mëdha, male për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla për hir të popujve tanë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës është më e madhe se ajo që na ndan.