Departamenti Amerikan i Shtetit këshilloi këtë të enjte të gjithë amerikanët nëpër botë që të kenë kujdes të shtuar, për shkak të tensioneve në rritje në vende të ndryshme nëpër glob, mundësisë për sulme terroriste, demonstratave apo veprimeve të dhunshme kundër qytetarëve amerikanë dhe interesave të tyre.
Sipas asaj që shkruan CNN, nxjerrja e këtij alarmi për kujdes në mbarë botën është një mesazh domethënës në mesin e protestave që kanë shpërthyer nëpër Lindjen e Mesme, në përgjigje të luftës Izrael-Hamas, me shumë demonstrues të cilët shënjestrojnë objektet diplomatike amerikane.
Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit e ngriti alarmin për udhëtimet në Liban dhe Izrael në nivelin më të lartë dhe ka autorizuar personelin e qeverisë amerikane (me përjashtim të atyre të emergjencës), që së bashku me anëtarët e familjeve të tyre të largohen nga këto vende.
Hera e fundit që DASH lëshoi një alarm të tillë ishte në gusht të 2022, pas vrasjes së liderit të al-Qaeda, Ayman al-Zawahiri, duke paralajmëruar se mbështetësit e organizatës terroriste mund të hakmerreshin duke goditur institucionet amerikane, personelin apo qytetarët.