Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar 10 kampionët globalë kundër korrupsionit.
Mes të përzgjedhurve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Vlerësimet për Dumanin u shprehën edhe nga Sekretari Antony Blinken.
“Kryeprokurori i Posaçëm shqiptar, Altin Dumani drejton një agjenci të re kombëtare, të mandatuar nga reforma në drejtësi në vitin 2016 që ndjek zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, u shpreh sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ndërkohë Dumani u vlerësua për integritetin, profesionalizimin dhe kurajon në drejtimin e SPAK.
“Ne vlerësojmë Altin Dumanin si kampion kundër korrupsionit për udhëheqjen si kryetar i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me integritet, profesionalizëm dhe kurajo në Shqipëri”, ishin fjalët që iu drejtuan Dumanit në momentin e dhënies së çmimit.