Kryesore DASH mbështet aksionin e policisë në kampin e MEK: Ka të drejtë...

DASH mbështet aksionin e policisë në kampin e MEK: Ka të drejtë të hetojë çdo veprimtari në territorin e vet

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mbështetur aksionin e Policisë Shqiptare në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit, që u zhvillua një ditë më parë nën dyshimet për krime me natyrë terroriste dhe krime kibernetike.

Një zëdhënës i DASH ka thënë se Shqipëria ka të drejtë të hetojë çdo veprimtari brenda territorit të tyre.

“Policia Shqiptare na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin. Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme që është e paligjshme brenda territorit të saj. SHBA nuk e sheh MEK-un si një lëvizje të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian. Departamenti i Shtetit ka shqetësime serioze për organizatën e MEK, përfshirë edhe akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të saj. Qeveria e SHBA nuk ofron asnjë trajnim ose mbështetje për MEK, nuk kontribuon me fonde dhe nuk mban kontakte thelbësore përveç çështjeve që kanë të bëjnë me zhvendosjen e MEK, gjë e cila është përfunduar në vitin 2016”, thuhet në reagimin e një zëdhënësi të DASH.

Një ditë më parë, me urdhër të SPAK dhe GJKKO, forca të shumta policore mësynë në kampin “Ashraf 3” të muxhahedinëve në Manzë për të kryer kontrolle. Policia sekuestroi kompjutera dhe servera për të cilat ka dyshime të forta se janë përdorur për të kryer sulme kibernetike ndaj institucioneve të huaja.

Anëtarët e kampit të MEK u revoltuan me ndërhyrjen e policisë dhe u përplasën me ta. Muxhahedinët pretenduan akuzuan se një person i komunitetit të tyre u vra, por Policia e Shtetit i hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se personi në fjalë kishte humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak dhe se forcat policore nuk kishin ushtruar dhunë ndaj askujt.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku thanë se policia u përball me rezistencë, por nuk anëtarët e MEK nuk u dhunuan. Ndër të tjera, ministri Çuçi tha se muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2014 kur u pranuan në Shqipëri.