Kreu i LZHK-së dhe kandidati për deputet në listat e PD-së, Dashamir Shehi, deklaron se të kërkosh shkarkimin e kryetarit të partisë në mes të fushatës nuk ka moral politik.
Në një intervistë për “Panorama”, Shehi komenton lëvizjen e një dite më parë të deputetëve Topalli e Imami për mbledhjen e strukturave për shkarkimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i LZHK-së sqaron se askush nuk është lindur për të qenë gjithmonë deputet dhe koha ka treguar se kush ka vërtet vlera qëndron pjesë e saj pa pasur nevojë të jetë pjesë e listave. Edhe vetë Shehi shpreh pakënaqësi për renditjen në listën e hartuar nga Basha, por deklaron se do të bëjë betejën e tij politike për të nxjerrë PD-në fituese.
Si i shikoni reagimet brenda opozitës pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit?
Kjo është luftë politike. Si çdo parti ka rrymat, grupet, interesat e veta. Nuk jam në gjendje të them me siguri se kush është më i vlefshëm brenda Partisë Demokratike. Ne aleatët kemi ndjekur linjën e PD-së, pa ndonjë lloj kontestimi prej kohësh. Kam menduar që do të respektoheshim pak më shumë. Megjithatë, unë kam besim që punët do të shkojnë mirë për PD-në, aleatët, për ata që janë brenda liste. Punët do të shkojnë mirë edhe për ata që nuk janë pjesë e listave. Kjo histori politike është, në muajin shtator hapen prapë letrat nga e para.
Duke e njohur historinë e gjithsecilit nga ata që janë në PD, a mendoni se duhet të përfshiheshin më shumë anëtarë me kontribute në lista?
Çdo parti i bën vetë listat e veta. Nëse bëhet fjalë për funksionimin e LZHK-së, e jap unë një përgjigje konkrete. Ndoshta z.Basha mendon se një shkallë rinovimi e madhe mund të jetë e shëndetshme për PD. Është një bast i tij. Koha është gjykatësi i vetëm i kësaj çështjeje. Pas datës 25 qershor do të kuptohet nëse vendimi i tij ka qenë i drejtë apo i gabuar.
Ka pasur një lëvizje të re brenda opozitës ku deputetët Topalli dhe Imami kanë marrë një nismë për shkarkimin e Lulzim Bashës. Si e shikoni këtë lëvizje?
Nuk më duket korrekte. Ata kanë ndenjur aty për aq kohë dhe mund ta kishin marrë këtë nismë përpara. Çfarë kuptimi ka që në ditën që ne kemi dalë në fushatë ndërmarrin një lëvizje për të shkarkuar kryetarin? Këtu kanë rënë të gjitha principet e politikës. S’ka asnjë logjikë të kërkosh shkarkimin e kryetarit në ditët e fushatës. Nuk më duket aspak korrekte nga ana morale politike. Këta njerëz duhet të presin rezultatin zgjedhor, sepse mundet që z.Basha të ketë të drejtë.
Mendoni se do të dëmtohet opozita dhe PD nga kjo lëvizje?
Unë fillimisht mendoj se kjo nuk është një lëvizje. Mendoj se ky është një opinion i dy personave. Unë e gjykoj se të kërkosh shkarkimin e kryetarit në mes të garës nuk është korrekte. Nuk i kam dëgjuar ndonjëherë të kenë një kërkesë të tillë kaq radikale, por kjo duket se ka buruar nga ideja që nuk janë në listë. Të kërkosh të shkarkosh kryetarin se nuk të ka futur në listë, nuk ka shumë moral. Askush nga ne nuk ka lindur me karrige deputeti. Edhe mua më kanë vendosur të 11-in në listë, më kanë parakaluar shumë fëmijë, njerëz që e di gjithë Shqipëria që nuk kanë vlerën time politike, por kjo s’do të thotë të kërkoj shkarkimin e Bashës. Më duket sikur këta zotërinj e kanë marrë pa shumë sportivitet këtë punë. Kush ka vlerë politike do të qëndrojë në politikë, është apo jo në listën e Lulzim Bashës. Koha e ka treguar që njerëz që kanë pasur vullnet dhe dëshirë kanë qëndruar pjesë e saj. Politika nuk është gjithmonë pushtet, është edhe opozitë. Edhe unë shpeshherë nuk kam qenë deputet. Edhe këtë herë e thashë, ndihem pak i pezmatuar për renditjen, megjithatë luftën time do ta bëj dhe besoj se qytetarët do të më ndjekin.