Nga Himara ku zhvilloi fushatën e radhës elektorale, kryeministri Edi Rama ka folur për letrën publike që Presidenti Ilir Meta i dërgoi mbrëmjen e së enjtes, në të cilën i kërkonte të reflektonte.
Gjatë fjalës së tij, Rama e konsideroi “letër dashurie me kod”, që u publikua pas sulmeve dhe djegies së KZAZ në Vaun e Dejës.
“30 Qershori është të dielën dhe nuk e luan as topi, jo më ta luajë filxhani, jo më ta luajë dekret pas dekreti i Baba Xhikes, që më kishte çuar dhe një letër mbrëmë, një letër dashurie që çuditërisht e çoi pasi u dogj KZAZ në Vaun e Dejës. Dashuri me kod, reflekto Edi se e shikon çfarë po ndodh. Edhe kujtonte dhe Ramiz Alinë që i shtyu zgjedhjet. Po Ramiz Alia i shtyu zgjedhjet se ishte gjithë shqiptaria e ngritur”, tha Rama.
Kryeministri nuk la pa përmendur as sulmet me bomba molotov në KZAZ nr.6 në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku u dogjën materiale zgjedhore dhe mbetën të plagosur 3 policë. 14 të arrestuarit për sulmin në KZAZ-në e Vaut të Dejës, do të ndalohen të dalin nga Shqipëria pasi të kenë vuajtur dënimet me burg.
“Si ata të mjerët e mbrëmshëm që u turrën njësoj si çetat Haxhi Qamilit. Sot janë në pranga dhe do të akuzohen për shumë vepra penale sepse kanë shkelur shumë ligje dhe do të mbeten brenda, por kur të dalin do të rrinë brenda këtu, nuk do të kapërcejnë dot më kufirin as për të shkuar në Mal të Zi, jo më në Itali e Greqi”, u shpreh kreu i qeverisë.