Emisioni “Opinion” solli mbrëmë për publikun historinë e dashurisë që ka lindur në kantierin e rindërtimit në Laç. E diplomuar në Stamboll për arkitekturë, Elda Sulaj, zgjodhi që pas tërmetit të 26 Nëntorit, ku qyteti i saj pati dëme të shumta, të kthehet ne vendin e lindjes për t’u bërë pjesë e projektit të rindërtimit.
“Fillova kërkimet qe në Stamboll, në internet kur mora vesh që do të kishte një projekt rindërtimi në Laç, është qyteti im, u ktheva sepse kisha shumë dëshirë të isha pjesë e këtij projekti. Paraqita CV-në time dhe u pranova. Sapo fillova punë u takova me zonjën Susan dhe zotin Servet, janë njerëz të mrekullueshëm”, tregon Elda.
Servet Birgoren është drejtuesi ekzekutiv i projektit të rindërtimit. Për të ky projekt është shumë i rëndësishëm.
“Projekti i rindërtimit ka 522 banesa dhe 37 dyqane është përvojë shumë e mirë për ne. Përpos projektit jemi të lumtur, sepse tashmë lidhja me Shqipërinë do të jetë e përhershme. Një këmbë në Turqi dhe një këmbë këtu”, tregon Birgoren.
Në kantierin e rindërtimit, përpos lindjes se një lagjeje të re, lindi edhe një dashuri. Ajo e Eldës dhe Burakut, djalit të çiftit Birgoren. I diplomuar për inxhinieri, i është bashkuar edhe ai këtij projekti.
“Së pari është shumë e bukur të punosh me familjen, por edhe për faktin që kemi të bëjmë me një projekt rindërtimi. Gjithashtu edhe për raportin që kane dy vendet tona, Turqi dhe Shqipëri.
Me Eldën jemi njohur në kantier, në punë. Më ka ndihmuar edhe për t’u përshtatur me vendin këtu por, edhe duke qenë në profesione të afërta edhe me moshë thuajse të njëjtë ishte më e lehtë për ne të afroheshim. Më pas të pëlqeheshim dhe kështu vendosëm ta zyrtarizonim lidhjen tonë”, shprehet ai.
Ndërsa për Eldën, lindja e kësaj historie dashurie erdhi e papritur dhe për të është shumë emocionuese. Lidhja e dy të rinjve i ka emocionuar edhe Susanën dhe Servetin, ata e konsiderojnë tashmë Eldën vajzën e tyre dhe për ta familja është plotësuar.
“Unë fillimisht kam punuar në zyrë me Eldën. Pastaj projektit ju bashkëngjit edhe Buraku. Elda e ka ndihmuar shumë në punë dhe kështu nisën takimet dhe pëlqimet e para. Unë jam shumë e lumtur Ajo është një vajzë e shkëlqyer. Ne nuk patëm fatin të kishim një vajzë, dhe tani e kemi. Elda ka të gjitha virtytet që do kisha dashur të kishte ime bijë. Tashme familja është plotësuar. Elda është vajza jonë”.