Për 25 vite, doktor Niko Kolamovski ka jetuar jashtë Shqipërisë, por së fundmi ai ka vendosur të kthehet në origjinë, për të punuar në bashkinë minoritare të Pustecit.
Dëshira për të shërbyer njerëzve të kësaj zone dhe dashuria për atdheun, por edhe përmirësimi i kushteve të punës bëri që ai pas dy dekadave të kthehet për të ushtruar profesionin e tij.
“25 vite kam qenë jashtë shtetit, u riktheva sepse u përmirësuan kushtet e punës, dhe mendova që me mire është te jem ne vendin tim e t’u shërbej njerëzve të mi. Jo, nuk jam penduar. E ndiej veten mirë dhe kënaqem në punë vij njerëzit që i njoh, njerëzit tanë”, është shprehur doktor Niko Kolamovski.
“Më shtyu vet ndjenja e kupton, guri rëndon në vendin e vet”, shtoi ai.
Të punosh në një bashki të vogël si Pusteci ka vështirësitë e veta, për shkak të territorit të gjerë e fshatrave të largët.
“Vështirësi sigurisht që ka por ka dhe bukuri, kur ndihmon njerëzit, bën diçka të mirë, kënaqesh dhe vetë. Vështirësi sepse fshatrat i kemi larg, sidomos në kohën e dimrit, njerëzit nuk vijnë dot këtu të vizitohen, ka raste kur duhet të vesh ti vizitosh aty ku janë, sidomos për urgjenca. Rasti më i vështirë ka qenë në Cerje, ku kam shkuar për një urgjencë 15 kilometra në këmbë’, tha doktori.
Shija e të shërbyerit për njerëzit e kësaj zone është më e madhe sesa për të huajt, ndaj deri në daljen në pension Niko ka vendosur që vitet pasuese t’i kalojë në vendlindjen e tij.
Shembulli i doktor Nikos, dëshira e tij për të shërbyer komunitetit ku ka lindur e është rritur dhe pasioni për mjekësinë janë mesazhi i gjallë për çdo student mjekësie. /Euronews Albania