Kryeministri Edi Rama ka pranuar ftesën e Presidentit Ilir Meta, i cili pak ditë më parë ftoi palët politike për t’u konsultuar mbi përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të 2021.
Shefi i mazhorancës do shkojë nesër në orën 11:00 në ambientet e Presidencës.
Kryeministri Rama do të shoqërohet nga sekretari i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka pranuar ftesën e Metës.
Me ndryshimet e reja të kodit zgjedhor, të miratuara me konsensus në këshillin politik dhe të votuara në parlament, periudha zgjedhore do të jetë nga 15 prill, deri në 15 maj.
Presidenti Ilir Meta është shprehur gjatë konferencave të tij të përjavshme se është gati të dekretojë si datë zgjedhjesh të dielën e parë brenda kësaj periudhe, që përkon me datën 18 prill.