Parkut arkeologjik të Amantias në Vlorë i shtohet edhe një tjetër pasuri me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm historike, por edhe kombëtare. Bëhet fjalë për një varr të lashtë monumental që daton që në shekullin e 3 para erës tonë.
Është një varr mbi 2 mijë vjeçar, kohë kur qyteti antik i Amantias mendohet se ka qenë në kulmin e lulëzimit të tij.
Nisur nga forma dhe mënyra sesi është ndërtuar, mendohet se ky varr mund t’i përkasë ndonjë personi mjaft të rëndësishëm për kohën.
Gjatë gërmimeve për zbulimin e varrit monumental janë gjetur gjithashtu orendi të tjera si qeramika të vjetra të cilët janë ende në studim.
Sipas arkeologëve në këtë zonë mendohet të jenë edhe 9 varre të tjera antike.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti me anë të një postimi në rrjetet sociale, theksoi se “pas dy muajsh pune të imtësishme u arrit të zbulohej e gjithë struktura arkitektonike e monumentit antik”.
“Bëhet fjalë për një ekzemplar të rrallë të tipit të mbuluar me qemer, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonikë. Specialistët vlerësojnë se përmasat e mëdha, veçoritë ndërtimore dhe elementet e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, tha Margariti.
“Nga rezultatet paraprake mendohet që monumenti daton rreth shek. III p. Kr.”, u shpreh ministrja.
“Këto zbulime vijojnë të hedhin dritë mbi rëndësinë e qytetit të dikurshëm të Amantias, duke shtuar po ashtu kuriozitetin te vizitorët”, theksoi Margariti.