Aurelio De Laurentis nuk e ka fshehur kurrë admirimin për Carlo Ancelottin. Presidenti i Napolit është shumë i lidhur me trajnerin dhe marrëdhënia mes tyre është fantastike.
Kreu i nënkampionëve të Italisë ka konfirmuar besimin ndaj Ancelottit në një prononcim të dhënë për TMW. Ai madje thekson se Carletto do të qëndrojë edhe 10 vite në stolin e Napolit.
Më pas një koment për Kalidou Koulibaly, “murin” e mbrojtjes së ekipit. Presidenti zbulon një prapaskenë në lidhje me senegalezin dhe e mbyll me një thumbim kundrejt opinionistëve të ndryshëm.
“Unë kam një trajner shumë të aftë me të cilin kam ndërtuar një raport shumë miqësor. Kam lexuar shumë gjëra këto ditë, madje është thënë edhe që kemi debatuar së bashku. Ai mund të qëndrojë edhe 10 vite të tjera te Napoli.
Jam për vazhdimësinë. Në kinema punoj me Verdonen prej 17 vitesh. Është gabim i madh të duash gjithçka menjëherë. Mos të harrojmë që jam unë ai që i kam kërkuar të përdorë sa më shumë rotacionin.
Unë jam i afeksionuar me Koulibaly dhe e vlerësoj shumë në aspektin njerëzor. Kam refuzuar 105 milionë euro për të, por do të vijë një moment kur do të detyrohem ta shes, bashkë me Fabian Ruiz. Ama nuk e pranoj që nuk jemi përforcuar në mbrojtje. Për fat të keq, disa opinionistë kanë nevojë për të fituar dhe marrin para në emisionet e mbrëmjeve në TV“, përfundon Aurelio De Laurentis.