Sport De Ligt lë në baltë Holandën, Republika Çeke shkon në çerekfinale

De Ligt lë në baltë Holandën, Republika Çeke shkon në çerekfinale

Europiani për Holandën merr fund që në fazën e 1/8-ave. “Tulipanët” humbën në mënyrë të befasishme 0-2 ndaj Republikës Çeke në “Ferenc Puskas” të Budapestit.

Skuadra e drejtuar nga Franck De Boer kishte dhënë sinjale mjaft të mira në ndeshjet në grupe, pasi fitoi të tre takimet dhe e mbylli me 9 pikë të plota, teksa edhe sfidën e sotme ndaj çekëve e nisi mjaft mirë.

Pjesa e parë u zhvillua nën dominimin e holandezëve, që gjithsesi u treguan të pasaktë në pasimin e fundit dhe nuk arritën të kërcënojnë portën e çekëve, të cilët nga ana tjetër iu afruan golit me anë të mesfushorit të Veronës, Antonin Barak.

Minuta e 52-të ishte vendimtare për fatin e takimit, pasi Donyell Malen pati një rast flagrant shënimi, i nisur i vetëm drejt portës së Vaclik, por dështoi në tentativën për të dribluar këtë të fundit dhe humbi mundësinë e golit të avantazhit.

Nga ana tjetër portieri çek nisi menjëherë të tijtë në kundërsulm dhe tashmë ishte radha e mbrojtësit De Ligt që të gabonte, pasi në rrëzim e sipër, ndali topin me dorë, duke i hequr mundësinë e një rasti shënimi, sulmuesit Patrick Schick.

Vendimi i parë i arbitrit ishte për karton të verdhë, por pasi rishikoi aksionin në VAR, vendosi të dërgojë në dhomat e zhveshjes mbrojtësin e Juventusit dhe të lërë “tulipanët” me një futbollist më pak për më shumë se 35 minutat e mbetura.

Çekia shfrytëzoi maksimalisht epërsinë numerike, duke dalë gjithnjë e më shpesh në gjysmëfushën kundërshtare dhe arriti të gjejë golin e avantazhit në minutën e 68’ me anë të Holes.

Pas një krosimi të ardhur nga këndi, ishte mbrojtësi Kalas që kërceu mbi të gjithë dhe shërbeu për Holes, me këtë të fundit që shfrytëzoi edhe një dalje të gabuar të portierit Stekelenburg, për të dërguar topin në rrjetë.

Provon të reagojë menjëherë Holanda, por nuk ka as forcën fizike dhe a qartësinë e duhur për të vënë në vështirësi kundërshtarin, ndërsa në minutën e 80’ çekët zbresin në një kundërsulm të shpejtë dhe gjejnë golin e dytë, këtë herë me autor Patrick Schick, që shkon në kuotën e 4 golave të shënuar në këtë Europian.

Në minutat e mbetura pati vetëm disa tentativa të dëshpëruara të “tulipanëve” për të rihapur ndeshjen, por nuk arritën të krijojnë probleme për mbrojtësin Vaclik dhe vërshëllima finale e arbitrit rus Karasev, dërgoi holandezët në shtëpi e çekët në çerekfinale, ku do të përballen me Danimarkën.