Një operacion i përbashkët mes DEA-s amerikane dhe autoriteteve kolumbiane bëri të mundur shkatërrimin e një grupi të trafikut të kokainës që vepronte në Kolumbi.
Ky grup drejtohej nga një shqiptar i quajtur Agim Çerma, i njohur edhe me emrin tjetër Jimmy. Të arrestuarit e tjerë janë kolumbianë; William Cruz, Pedro Penagos, Jairo Cardona dhe Edwin Montilla.
Agim Çerma ishte personi kryesor i këtij grupi kriminal. Ai ishte përgjegjës për marrjen dhe transferimin e parave nga Evropa për të blerë kokainë nga Kolumbia.
Pas marrjes së parave, Çerma kujdesej për dërgesën e kokainës drejt Evropës nga ishte bërë porosia. Lënda narkotike trafikohej përgjithësisht në rrugë ajrore përmes fluturimeve charter.
Për të garantuar këtë mënyrë transportimi, ky grup mbante lidhje me kartelin Clan del Golfo, që vepron në veriperëndim të Kolumbisë.
Gjatë këtij operacioni për shkatërrimin e grupit kriminal, autoritetet sekuestruan të paktën 300 kilogramë kokainë dhe 524 mijë Dollarë.