Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kundërshtarja e tij e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen u përballën dje në mbrëmje në një debat të nxehtë televiziv, katër ditë përpara balotazhit presidencial.
Si Macron ashtu edhe Le Pen u munduan të shiheshin si të arsyeshëm dhe të drejtë, por sulmet e ndërsjella u shtuan në rrjedhën e duelit të tyre që zgjati dy orë e gjysmë.
Le Pen u paraqit si avokatja e shtresës së mesme.
Macron, i cili kandidon për një mandat të dytë, ishte shpesh më aktiv në debat dhe gjithashtu pranoi gabimet dhe lëshimet në mandatin e kaluar.
Ata diskutuan çështjet ekonomike, me interes për të gjithë, përfshirë fuqinë blerëse, pagat dhe pensionet. Macron njoftoi rritje të pensioneve dhe pagës minimale si dhe një kufi në çmimet e gazit dhe energjisë elektrike.
Le Pen propozoi uljen e TVSH-së për energjinë dhe eliminimin e taksave për 100 produkte bazë të përditshme.
Kur ishte fjala për çështjen e pensioneve, e cila ka qenë temë e debateve të përsëritura në Francë, Le Pen këmbënguli ta mbajë atë deri në 62 vjeç. Le Pen tha se rritja e moshës së pensionit në 65 vjeç ishte “absolutisht e patolerueshme”
”Dalja në pension në moshën 65-vjeçare është një padrejtësi absolute”, tha Le Pen për planin e Macron për një moshë më të lartë pensioni.
Macron theksoi se një pension nga mosha 65 vjeç nuk duhet të zbatohet për të gjithë punonjësit, me përjashtim të njerëzve në punë veçanërisht të vështira.
Lufta e Rusisë në Ukrainë
Lufta e Rusisë në Ukrainë ishte çështja e dytë e madhe e debatit. Emmanuel Macron tha se Rusia “po shkonte në një rrugë fatale” dhe roli i Francës dhe Evropës ishte t’i siguronin Ukrainës pajisje ushtarake dhe të pranonin refugjatët.
Le Pen, e cila është kritikuar për lidhjet e saj të ngushta me Kremlinin dhe për marrjen e një kredie bankare ruse për partinë e saj, paralajmëroi se dhënia e armëve Ukrainës mund t’a bëjë Francën një “bashkëluftëtare”. Megjithatë, ajo mbështeti politikën e kundërshtarit të saj për të mbështetur Ukrainën dhe për të pranuar refugjatët.
Në këtë pikë, Macron u hodh në sulm duke theksuar se ajo ishte një nga liderët e parë politikë në 2014 që njohu aneksimin e Krimesë nga Rusia.
“Ju flisni me bankierin tuaj, kur flisni me Rusinë” – tha ai.
Le Pen pranoi se kishte marrë para ruse pasi asnjë bankë franceze nuk do t’i jepte hua partisë së saj. Kur ajo argumentoi se iu desh të merrte para hua si miliona francezë, ai u kundërpërgjigj se francezët nuk kërkonin financa nga Rusia.
Bashkimi Evropian
Macron theksoi se Franca mbetet ”e ankoruar” në Bashkimin Evropian dhe përsëriti angazhimin e tij për një bashkëpunimin franko-gjerman.
Ai akuzoi Le Pen se dëshiron të largohet nga BE, siç bëri gjatë kandidaturës së saj presidenciale në vitin 2017.
Le Pen u përgjigj se nëse do të donte të dilte, do ta thoshte këtë.
“Unë dua të qëndroj në Bashkimin Evropian”, pohoi ajo.
Por, ajo vuri në dukje se dëshiron të ndryshojë BE-në.
Ndër të tjera, ajo mbrojti faktin që ligji francez të ketë përparësi ndaj ligjit të BE-së.
Emigracioni dhe Islami
Marine Le Pen u hodh në sulm duke premtuar një referendum se kush duhet të qëndrojë dhe kush duhet të largohet nga Franca dhe duke dënuar atë që ajo e quajti “emigracion anarkik dhe masiv” që është shkaktar i një ndjenjë pasigurie.
Më pas ajo foli për ndalimin e mbajtjes së hixhabit në publik, duke argumentuar se gratë duhet të çlirohen nga “presioni islamist”. Macron kundërshtoi ashpër, duke thënë se është e gabuar të përzihet islami me islamizmin dhe se politika e saj ishte e pazbatueshme dhe një tradhti ndaj vlerave franceze:
“Do të kishim policinë të vraponte në rrugë pas vajzave me hixhabe dhe djemve të veshur me kipa”. Sipas tij do të ishte intolerante që ajo po dëbonte miliona bashkatdhetarë nga hapësira publike për shkak të fesë së tyre.
Kush fitoi
Dalja televizive e së mërkurës është hera e vetme që një pro evropian dhe centrist si Macron dhe një euroskeptike si Le Pen takohen drejtpërdrejt në këto zgjedhje.
Le Pen doli në krye të 12 kandidatëve në raundin e parë të sondazhit presidencial më 10 prill.
Përpara balotazhit të së dielës, Macron kryeson me lehtësi në sondazhet e opinionit, me 55%, krahasuar me Le Pen me 44%.
Por, balotazhi pritet të jetë një garë më e ngushtë se pesë vjet më parë, kur dy kandidatët u përballën gjithashtu me njëri-tjetrin.
Sondazhet fillestare pas debatit tregojnë se Macron doli fitues.
”Dy nga tre shikues menduan se Macron ishte kandidati më bindës”, sipas një sondazhi nga instituti ”Elabe”.
Vëzhguesit ishin të etur për të parë nëse të dy do të shkëmbenin fyerje dhe sulme personale siç bënë në debatin e tyre të fundit televiziv përpara zgjedhjeve presidenciale të 2017-ës.
Rëndësia e debatit
Përplasjet televizive midis 2 kandidatëve kryesorë kanë qenë një pikë kryesore e zgjedhjeve presidenciale franceze për gati 5 dekada. Debati i fundit tërhoqi 16.5 milionë shikues në mënyrë që të mund të luante një rol vendimtar me votuesit e pavendosur.
Duelet televizive kanë rezultuar më vendimtare kur qendrat e votimit janë afër. Në vitin 1974, konservatori Valéry Giscard d’Estaing arriti të mundë socialistin François Mitterrand pasi doli më mirë në debatin mes tyre. Mitterrand doli më mirë në revanshin e vitit 1981 dhe fitoi në balotazh.
Kjo është hera e parë që nga ajo kohë që të njëjtët kandidatë përballen në dy zgjedhje radhazi.
Debati i vitit 2017 ishte një katastrofë për Le Pen dhe ajo u mposht në balotazh, duke fituar vetëm një të tretën e votave.
Këtë herë gara është shumë më e ngushtë dhe një performancë e fortë e zonjës Le Pen mund të tërheqë një pjesë të madhe të votuesve të pavendosur. Lë Pen e ndërpreu fushatën e saj të hënën për t’u përqendruar te debati.